Nëna e Astrit Deharit: “Prokuroria s’ka punë me Vetëvendosjen, Astriti u vra në burg për arsye politike”

1 minute, 47 seconds Read

Në nëntëvjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, prindërit e tij, Xhemile dhe Avni Dehari, kanë përsëritur kërkesën e tyre për drejtësi dhe zbardhje të plotë të rastit.

Pas homazheve të mbajtura pranë varrit të djalit, ku morën pjesë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, familjarët shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj sistemit të drejtësisë, duke e akuzuar atë për mosveprim dhe zvarritje të qëllimshme.

Nëna e Astritit, Xhemile Dehari, iu përgjigj kritikëve që e akuzojnë Vetëvendosjen për mungesë angazhimi në këtë rast, duke theksuar se Prokuroria nuk ka asnjë punë me Vetëvendosjen, pasi, sipas saj, Astriti u vra për arsye politike brenda burgut të Prizrenit.

“Prokuroria nuk ka punë me Vetëvendosjen. Astriti ka qenë anëtar i Vetëvendosjes, është mbyllur politikisht dhe është vrarë në burgun e Prizrenit. Sylë Hoxha e Nexhmi Krasniqi le të dalin e ta thonë të vërtetën për atë që kanë parë te Astriti. Nuk mund të kërkojnë përgjigje prej nesh që s’kemi qenë aty. Nëntë vite pritje janë shumë – tash duhet që edhe prokurorët e rinj ta dinë çfarë duhet të bëjnë,” tha ajo.

Ndërkohë, babai i Astritit, Avni Dehari, theksoi se mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë duket i qëllimshëm, me qëllim që të mos zbardhet e vërteta mbi vdekjen e djalit të tij.

“Kjo flet shumë për një sistem jofunksional të drejtësisë, që duket më shumë i qëllimshëm sesa i paqëllimshëm. Ne kërkojmë që ky rast të zgjidhet dhe drejtësia të kthehet në binarët e duhur. Kjo është një njollë e rëndë për drejtësinë në Republikën e Kosovës,” deklaroi ai.

Rasti i Astrit Deharit, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje që humbi jetën në burgun e Prizrenit në vitin 2016, mbetet një nga ngjarjet më të diskutueshme dhe ende të pazbardhura në historinë e pasluftës në Kosovë./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme