Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, ka publikuar listën e futbollistëve për dy ndeshjet e fundit kualifikuese drejt Kupës së Botës 2026.
Sipas kalendarit zyrtar, Zvicra do të përballet fillimisht me Suedinë më 15 nëntor në Gjenevë, ndërsa më 18 nëntor do të udhëtojë në Prishtinë për ndeshjen shumë të pritur kundër Kosovës, që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Në listë nuk mungon kapiteni Granit Xhaka, i cili pritet të udhëheqë ekipin në të dy përballjet. Megjithatë, Zvicrës do t’i mungojë mesfushori i rëndësishëm Remo Freuler, partneri i zakonshëm i Xhakës në mesfushë.
Ndërkohë, tre lojtarë me origjinë shqiptare janë përfshirë në përzgjedhje – Adrian Bajrami, Andi Zeqiri dhe vetë Xhaka – të cilët pritet të kenë rol të rëndësishëm në këto ndeshje që mund të vendosin fatin e grupit.
Pas zhvillimit të xhirove të fundit, Zvicra mban vendin e parë me 10 pikë, e ndjekur nga Kosova me 7, Sllovenia me 3, dhe Suedia me vetëm 1 pikë.
Skuadra helvete synon ta sigurojë kualifikimin direkt në Botëror përmes vendit të parë, ndërsa vendi i dytë do të dërgojë në ndeshjet e barazhit.
Nëse Zvicra nuk arrin fitore ndaj Suedisë, ndërkohë që Kosova triumfon ndaj Sllovenisë në Lubjanë, atëherë përballja e 18 nëntorit në Prishtinë do të shndërrohet në “finale të madhe” për vendin e parë në grup dhe për një biletë historike në Kampionatin Botëror 2026.
/lajmishqip.net

