Raportohet se zyrtari i BE-së u ther në Gjakovë – QKUK konfirmon se gjendja e tij është stabile

1 minute, 12 seconds Read

Një shtetas i huaj ka pësuar lëndime si pasojë e therjes me një mjet të prehtë, të martën në Gjakovë.

Sipas raportimeve, bëhet fjalë për zyrtarin e Bashkimit Evropian në Kosovë, me inicialet S.SH.

Në raportin 24-orësh, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se viktima fillimisht ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF Gjakovë, e më pas është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejmë.

Telegrafi ka kontaktuar Prokurorinë Themelore të Gjakovës, e cila ka konfirmuar se rasti tashmë është marrë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Lidhur me rastin në fjalë, ju lutem që t’i drejtoheni Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, pasi që rasti menjëherë ka kaluar në kompetencë të tyre,” thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Gjakovës.

Ndërkohë, drejtori i Emergjencës në QKUK, dr. Naser Syla, ka deklaruar për Telegrafin se gjendja e të plagosurit është stabile.

“Rasti ka qenë mbrëmë. Është trajtuar në Qendrën Emergjente dhe më pas është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare për trajtim të mëtutjeshëm. Gjendja e tij është stabile,” ka theksuar Syla.

Telegrafi ka dërguar pyetje shtesë në Zyrën e BE-së në Prishtinë dhe në Prokurorinë Speciale, por deri në publikimin e këtij lajmi ende nuk ka marrë përgjigje./telegrafi.com

Publikime te ngjashme