“Kushtetuta e LVV-së” kundër asaj të Kosovës: Përparim Rama akuza të rënda ndaj qeverisë për bllokadë

1 minute, 3 seconds Read

Ballafaqimi i parë mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, në emisionin Pressing në T7, është tensionuar. Shkak u bë deklarata e kryeministrit Albin Kurti, i cili paralajmëroi se nuk do të mbështesë me buxhet kryetarët që “nuk dinë të punojnë” ose “vjedhin”.

Çeku e relativizoi deklaratën e Kurtit, duke e quajtur “qëndrim politik” të një tubimi elektoral, me të cilin “të gjithë parimisht pajtohen”. Ai e pyeti Ramën pse ishte i pari që reagoi publikisht, duke aluduar se kryetari aktual i Prishtinës e ka ndier veten të sulmuar.

“A u ndive i goditur sapo tha se nuk do t’i kalojë buxheti atyre që e keqpërdorin?”, e pyeti Çeku.

Në përgjigjen e tij, Rama akuzoi qeverinë për bllokadë të qëllimshme të kryeqytetit. Ai pohoi se Prishtinës i janë bllokuar të hyrat vetanake dhe investimet zhvillimore, duke e interpretuar deklaratën e Kurtit si konfirmim të këtij presioni politik.

“Kryeministri vetë e tha sonte që janë bllokues. Ata nuk funksionojnë sipas Kushtetutës së Republikës, por sipas kushtetutës së LVV-së”, tha Rama, duke shtuar se qytetarët po ndëshkohen për bindjet e tyre politike./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme