Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar, shtetas kosovar, nën dyshimin se gjatë periudhës 2021–2024 ka kryer disa vepra penale të falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit financiar, në lidhje me prona të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Sipas burimeve policore, i dyshuari – në bashkëpunim me persona të tjerë – dyshohet se ka falsifikuar dokumente pronësie për prona shtetërore, të cilat më pas i ka transferuar në mënyrë të kundërligjshme në pronësi private.
Pas legalizimit të rremë, këto prona janë shitur tek blerës të mashtruar, duke u përfituar shuma të mëdha parash nga transaksionet.
Gjatë operacionit policor, hetuesit kanë kryer kontrolle në një shtëpi, tri banesa dhe dy garazha, ku janë gjetur dhe konfiskuar dokumente që lidhen me falsifikimet, si dhe pajisje që dyshohet se janë përdorur për prodhimin e tyre.
Policia ka sekuestruar gjithashtu një pistoletë me 103 fishekë, një telefon celular, si dhe dy aksesorë luksozë të markës Rolex – një orë dore dhe një zinxhir dore.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë në këtë skemë të dyshuar mashtruese./lajmishqip.net
