Tmerr në Prizren, burri ther gruan dhe vajzën e mitur, dëshmitari: E kemi larë gjakun deri në katin e katërt

1 minute, 11 seconds Read

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Prizrenin pas mesnate, ku një burrë ka sulmuar me thikë bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur, duke i lënë në gjendje të rëndë shëndetësore. I dyshuari është arrestuar menjëherë në vendin e ngjarjes.

Skena e krimit ishte rrëqethëse. Një dëshmitar okular ka rrëfyer momentet e tmerrit pas ngjarjes, duke treguar se gjurmët e gjakut shtriheshin nëpër të gjithë ndërtesën. “Pasi forenzika e kreu punën, bashkë me pronarin e banesës kemi larë gjakun prej shkallëve deri në katin e katërt, sepse fëmija kishte ikur një kat më lart,” deklaroi ai.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, ngjarja ndodhi sot rreth orës 00:20 në rrugën “Rexhep Kabashi”. Patrullat policore gjetën fillimisht gruan në rrugë me plagë të shumta, ndërsa vajza e mitur u gjet e lënduar në katin e fundit të ndërtesës. Të dyja viktimat janë dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Shefi i Emergjencës, Dr. Hekuran Veçgishti, konfirmoi se gjendja e tyre është e rëndë. “Për momentin pacientet janë në mjekim intensiv qendror,” tha ai.

I pandehuri është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit dhe do të përballet me akuza për “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe armëmbajtje pa leje./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme