Prokuroria Speciale sqaron pas akuzave të Osmanit: Asnjë gazetar nuk është nën hetim

1 minute, 0 seconds Read

Pas deklaratave të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila aludoi për lidhje të disa gazetarëve me Milan Radoiçiqin dhe aktivitete të paligjshme, Prokuroria Speciale ka reaguar duke sqaruar se asnjë gazetar nuk është nën hetim.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Arbnora Luta, në një prononcim për KosovaPress ka thënë se nuk ka asnjë rast të hapur që përfshin gazetarë.
“Ju njoftojmë se asnjë gazetar nuk është nën hetim nga Prokuroria Speciale dhe nuk ekziston asnjë rast i hapur që përfshin gazetarët. Prokuroria Speciale vazhdon të veprojë në përputhje të plotë me ligjin, duke ruajtur pavarësinë, paanshmërinë dhe profesionalizmin në çdo rast,” theksoi Luta.

Një ditë më parë, presidentja Osmani deklaroi se “kur hetohen Radojiçiqat dalin edhe bashkëpunëtorët e tyre”, duke nënkuptuar se në hetime janë përfshirë edhe gazetarë. Ajo shtoi se “ata e dinë kush janë, e kanë mizën pas veshi”.

Në po të njëjtën konferencë për media, Osmani foli edhe për arrestimin e një kameramani, për të cilin pretendoi se kishte xhiruar në një zonë ku nuk posedonte autorizim./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme