MPJD kërkon llogari për shpenzimet, Osmani përgjigjet: Presidenca, institucioni më transparent

1 minute, 37 seconds Read

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) drejtuar ambasadave për të raportuar shpenzimet e vizitave të saj zyrtare. Duke u përgjigjur interesimit medial, Osmani deklaroi se “presidenca ka qenë gjithnjë institucioni më transparent në vend”.

E pranishme në konferencën ku njoftoi për dërgimin e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese për qartësimin e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, Osmani theksoi se ofron transparencë të plotë për çdo aktivitet brenda mandatit të saj presidencial.

“Kjo është një çështje teknike, ndaj do t’ju lutesha t’ia adresoni stafit, pasi unë nuk i di detajet e çështjeve që ngritët. Ne po trajtojmë tema të rëndësisë shtetërore dhe do t’ju lutesha të fokusoheni tek ato. Si parim i përgjithshëm, pavarësisht se nuk i di detajet që përmendët, presidenca ka qenë gjithmonë institucioni më transparent në vend. Çdo shpenzim është publik dhe transparent, dhe ne e mbrojmë me krenari çdo punë dhe angazhim të bërë në interes të Republikës së Kosovës, sepse vetëm ky ka qenë qëllimi. Pyetja juaj i përket një çështjeje teknike, për të cilën stafi im mund t’ju japë të gjitha përgjigjet. Për çdo gjë që ju nevojitet, do të ketë transparencë të plotë mbi çdo aktivitet tonin politik brenda mandatit si presidente e Republikës”, u shpreh Osmani, raporton lajmishqip.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka kërkuar zyrtarisht ambasadave të Kosovës të ofrojnë informacione të detajuara mbi shpenzimet e vizitave të Presidentes Vjosa Osmani në shtetet përkatëse.

Sipas informacioneve, kërkesa e MPJD-së përfshin detaje për koston e akomodimit, sigurimit, ushqimit, transportit me vetura, si dhe shpenzimet për karburante, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme