Shqiptaro-amerikani Alban Dervishi merr komandën e anijes luftarake amerikane USS Pearl Harbor

1 minute, 19 seconds Read

Shqiptaro-amerikani Alban Dervishi ka marrë zyrtarisht komandën e anijes luftarake të Marinës së Shteteve të Bashkuara, USS Pearl Harbor. Lajmi u bë i ditur nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë, e cila njoftoi se ceremonia zyrtare e ndërrimit të komandës u zhvillua javën e kaluar në San Diego, duke e cilësuar atë një moment historik.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara përgëzon Alban Dervishin për rolin e tij të ri si Komandant i USS Pearl Harbor! Ceremonia zyrtare e ndërrimit të komandës u zhvillua në San Diego javën e kaluar. Përjetoni këtë moment historik të rëndësishëm në karrierën e tij”, shkruhet në postimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Për të shikuar videon klikoni KËTU:

Lidhur me drejtimin e anijes luftarake nga një shqiptaro-amerikan ambasada po ashtu kishte njoftuar disa muaj më parë.

Në atë postim Ambasada kishte ndarë disa detaje nga jeta e Alban Dervishit, i cili vinte nga një familje ushtarake që kishin emigruar 25 vjet më parë në SHBA.

“Një ‘Tirons’ që merr komandën e një luftanijeje amerikane! Njihuni me komandant Alban Dervishin, shqiptaro-amerikani i cili do të marrë komandën e USS Pearl Harbor në qershor të 2025-ës. I lindur në Tiranë dhe me origjinë nga një familje ushtarake, Albani dhe prindërit e tij emigruan në Shtetet e Bashkuara 25 vjet më parë për të ndjekur ëndrrën amerikane”, kishte shkruar Ambasada amerikane.

Alban Dervishi është i lindur e rritur në Tiranë. Ai në moshën 16 vjeç ka emigruar në SHBA.

Publikime te ngjashme