Gjykata e Qarkut të Jeruzalemit ka rrëzuar kërkesën e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për një shtyrje dyjavore të gjyqit të tij për korrupsion. Vendimi vjen pasi edhe Zyra e Prokurorit të Shtetit shprehu kundërshtimin e saj ndaj pezullimit të procesit, raporton media izraelite “The Times of Israel”.
Në një deklaratë zyrtare, gjyqtarja Rivka Friedman-Feldman theksoi se kërkesa e paraqitur nga avokati mbrojtës i Netanyahut, Amit Hadad, “nuk ofron një bazë apo arsye të detajuar që justifikon anulimin e seancave dëshmuese”.
Pala mbrojtëse kishte argumentuar se kryeministri Netanyahu kishte nevojë për një pauzë dyjavore për t’u përqendruar në “çështje të rendit të parë diplomatik, kombëtar dhe të sigurisë”, veçanërisht pas tensioneve të fundit ushtarake me Iranin.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur, sipas raportimeve, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara po punojnë intensivisht për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që synon përfundimin e luftës në Gaza dhe normalizimin e marrëdhënieve me vendet e tjera arabe.