Imami i njohur dhe mjaft me ndikim në rrjetet sociale, Ahmet Kalaja, do të përballet me drejtësinë. Prokuroria e Tiranës ka dërguar zyrtarisht për gjykim dosjen penale ndaj tij, duke e akuzuar për “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon një dënim me gjobë ose deri në tre vite burgim.
Sipas dosjes së prokurorisë, ngjarja i ka rrënjët në një operacion të Drejtorisë së Antiterrorit në vitin 2022. Kalaja, i cili drejton xhaminë “Dine Hoxha” në rrugën e Kavajës në Tiranë, dyshohet se ka refuzuar t’u dorëzojë hetuesve pamjet filmike të kamerave të sigurisë.
Këto pamje konsideroheshin thelbësore për një hetim ndaj disa personave që dyshohej se po shpërndanin fletushka me përmbajtje që nxiste urrejtje dhe përçarje mes besimtarëve.
I kontaktuar nga mediat, vetë imami Kalaja i ka mohuar akuzat. Ai e ka cilësuar të gjithë çështjen si një “keqkuptim” dhe ka këmbëngulur se ka qenë plotësisht bashkëpunues me autoritetet në çdo hap të procesit.
Ahmet Kalaja mbetet një nga figurat më të njohura dhe të respektuara në komunitetin mysliman shqiptar, me një audiencë prej qindra mijëra ndjekësish që e ndjekin rregullisht në mediat sociale.