Shefi i Aleancës Veri-Atlantike, Mark Rutte, ka lëshuar një paralajmërim të fortë për vendet anëtare, duke kërkuar një rritje dramatike të shpenzimeve ushtarake përballë kërcënimeve në rritje nga Rusia.
“Duhet t’i rrisni shpenzimet në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP). E kam seriozisht kur e them, pasi në të kundërt bëni mirë të filloni kurset e gjuhës ruse,” deklaroi Rutte prerazi para mediave, duke theksuar se kërcënimi i një sulmi rus në vitet e ardhshme është real.
Ky qëndrim vjen pas takimit të fundit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, ku u ra dakord për rritjen e ndjeshme të kapaciteteve ushtarake. Aleatët pranuan objektivin e ri, i cili tejkalon ndjeshëm shifrën e famshme prej 2%.
Sipas planit të ri, të shtyrë fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet anëtare duhet të ndajnë buxhetin e mbrojtjes si më poshtë:
3.5% e GDP-së do të shkojë për “shpenzimet bazë të mbrojtjes”, që përfshijnë armatime të rënda si tanke, avionë luftarakë dhe artileri.
1.5% e GDP-së do të investohet çdo vit për infrastrukturën mbështetëse, sigurinë kibernetike dhe sistemet e mbikëqyrjes.
Sekretari i Përgjithshëm Rutte theksoi se këto shifra nuk janë dëshira, por një nevojë urgjente strategjike. “Kërcënimet me të cilat përballet NATO po rriten dhe kundërshtarët tanë nuk po presin që ne të riarmatosemi,” tha ai, duke shtuar se aleanca pret të shohë “progres të besueshëm” sa më shpejt të jetë e mundur.