Në korridoret e politikës, aty ku fati i një kombi përcaktohet me marrëveshje në zyrat e mbyllura, gjithmonë gjen vend një specie që mbi jetën, integritetin dhe vlerat vë interesin personal. Kjo është feja e oportunistit: ai që përshtatet me çdo rrethanë vetëm për të mbajtur vendin e vet në skenë. Ky lloj politikani nuk udhëhiqet nga ideali, as nga përkushtimi ndaj publikut, por nga kalkulimi i ftohtë i përfitimit. Ai nuk ka shtyllë kurrizore ideologjike, por një busull që drejtohet nga era e pushtetit. Çdo parim, çdo ideal, çdo program partiak është i negociueshëm, mjafton që rrugët e tij drejt majës së piramidës së partisë apo shtetit të mbeten të hapura.
Krahas oportunistëve që rrëshqasin nga një krah në tjetrin, një tjetër hije lëviz me lehtësi në muret e zyrave partiake: servili. Ai është ai që mban pas pallton e kryetarit, që ngre duart i pari kur lideri flet, që thotë “po” pa menduar dy herë. Servili nuk kërkon asgjë më shumë sesa një buzëqeshje aprovuese të “të madhit” e një copë privilegji. Nuk ka rëndësi çfarë ndodh me parimet, me kauzat a me votuesit; rëndësi ka të qëndrosh i lidhur fort me njeriun e pushtetshëm. Për servilin, besnikëria ndaj një ideje është një koncept i pavlerë. Ai i shtrohet udhëheqësit njësoj si një qilim i bukur, gati për t’u shkelur, vetëm e vetëm që t’i dhurohet ndonjë post, ndonjë kontratë, apo ca privilegje personale.
Për fat të keq, kombinimi i oportunizmit dhe servilizmit brenda partive politike nuk është thjesht një fenomen sociologjik, është një gangrenë që gërryen besimin publik te sistemi demokratik. Kur partia kthehet në një klub i të privilegjuarve që rrotullohen rreth një figure qendrore, politika degradon në një lojë interesash, në një enigmë ku çdo pjesë vendoset sipas ambicieve të ngushta. Votuesi, qytetari i thjeshtë, mbetet spektator i shtyrë në periferi të skenës, duke parë se si premtimet, idealet dhe angazhimet mbyten në lumturinë e heshtur të servilizmit dhe kalkulimin e pamoralshëm të oportunizmit.
Por, shoqëria ka një forcë të madhe: ajo mund të zgjedhë. Një elektorat i vetëdijshëm dhe vigjilent mund t’i nxjerrë në pah këta aktorë të dëmshëm, t’i ndëshkojë me votë, t’i zhveshë nga iluzioni i “besnikërisë” së tyre. Vetëm kur oportunisti dhe servili mbeten pa lavdinë e privilegjeve, vetëm atëherë parimet e vërteta, angazhimet ideologjike dhe përfaqësimi i sinqertë i interesit publik mund të zënë vendin që u takon. Vetëm atëherë mund të flasim për një politikë të shëndetshme, ku interesi kombëtar nuk humbet në mes të rreshtave të heshtur të një servilizmi apatik dhe oportunizmi të pafytyrë./telegrafi
Nga: Bardh Musa