“I përgjigjem Bardhit kur të flasë SPAK”, Rama: Nëse Olsi del trafikant tërhiqem nga politika!

2 minutes, 6 seconds Read

Në përgjigjen për Gazment Bardhin që kërkoi interpelancë me të për çështjen “Becchetti”, kryeministri Edi Rama është shprehur se do të shkojë në Parlament për tu përballur në çdo interpelancë me kreun e Grupit të PD, por kur të finalizohet një kusht.

Rama thotë se kjo përballje do të realizohet vetëm pasi të ketë dalë vendimi i SPAK për çështjen e vëllait të tij Olsi Rama, të cilin sipas shefit të qeverisë, Bardhi e ka zbuluar si “trafikantin e drogës në familjen” e tij.

Rama shprehet se nëse hetimet e Prokurorisë së Posaçme e nxjerrin vëllain e tij të përfshirë në trafikun e kokainës dhe laboratorin e Xibrakës siç pretendon Gazment Bardhi, ai do të heqë dorë edhe nga detyra si kryeministër, por nëse rezulton e kundërta do të ketë një interpelancë në Kuvend mes të dyve.

“Vetëm nëse Olsi Rama nuk del siç pretendon ky zotëria që vetëm zotëri nuk është. Sepse nëse im vëlla del trafikant nuk do të kem si të shkoj, përkundrazi, nuk do të jem më jo vetëm as kryeministër, po as person publik hiç fare. Por pa u zgjidhur e zbardhur plotësisht nga drejtësia kjo çështje, unë nuk kam sy e faqe të përballem me zbuluesin që pretendon me zë shumë të lartë, se ka hedhur dritë jo vetëm mbi aktivitetin kriminal të vëllait tim, po edhe mbi përfshirjen time kriminale në fshehjen e “personit të paidentifikuar, 45 vjeç, me kapele”, i cili sipas Gazmendit na qenka Olsi Rama dhe unë, duke abuzuar me detyrën dhe madje shpërblyer dy prokurorët e dosjes së laboratorit të drogës në Xibrakë, ia paskam fshehur drejtësisë”, shkruan Rama në platformën ‘X’.

Rama nënvizon se ka muaj që pret të vërtetën nga SPAK-u, atje ku sipas kryeministrit “Gazmend Bardhi shkon shpesh për të luftuar korrupsionin e kriminelët e qeverisë”.

“Nuk do lodhem së prituri, përpara se sa të bëj njërën nga të dyja. O të tërhiqem nga politika përgjithnjë, o të paraqitem në interpelancat e Gazmendit dhe pastaj shohim e bëjmë si vete kjo mesele më tutje, në sy të shqiptarëve e në rrugën e mëtejshme të drejtësisë, ku o do gjykohet im vëlla, o do gjykohet Gazmend Bardhi!”, thekson Rama.

Publikime te ngjashme