Këtë të hënë, aktori i njohur Rezat Veleshnja ishte i ftuar në studion e Big Brother VIP Kosova për të diskutuar rreth largimit të tij dramatik me zarf të zi nga shtëpia e këtij formati të njohur televiziv.
Si gjithmonë, Veleshnja arriti të tërhiqte vëmendjen jo vetëm me karakterin e tij të veçantë, por edhe me pamjen e tij elegante, i veshur nga brendi “Bukur” i stilistes së mirënjohur Blerina Kllokoqi Rugova.
Në skenë, Rezat Veleshnja u shfaq me një pamje të rafinuar që tregonte qartazi stilin dhe mjeshtërinë e stilistes shqiptare. Megjithatë, kur aktori deshi të shfrytëzonte momentin për të falënderuar Kllokoqi Rugovën për stilimin e tij, produksioni e ndërpreu, duke mos e lejuar që të vazhdonte me fjalën e tij të mirënjohjes.
Ky moment është ndarë me publikun nga vetë stilistja, e cila publikoi një klip të shkurtër në TikTok. Në video, shihet qartë ndërprerja nga prezantuesit në momentin kur aktori synonte të shprehte mirënjohjen për punën e saj.
Videoja u bë shpejt virale, duke ngjallur reagime nga ndjekësit që shprehën mbështetje dhe kuriozitet për arsyen e ndërprerjes së papritur nga produksioni./Telegrafi