“Larg duart nga gjuha shqipe”, deputetët e “Frontit Evropian” shpalosin pankarta gjatë fjalimit të Mickoski-t në Kuvend

1 minute, 22 seconds Read

“Larg duart nga gjuha shqipe”, ka qenë një nga parullat që deputetët e “Frontit Evropian” – i drejtuar nga Ali Ahmeti – e kanë shpalosur në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, gjatë fjalimit të kryeministrit Hristjan Mickoksi.

Kjo ka ndodhur në seancën parlamentare të së enjtes, ku deputetët parashtruan pyetje për kryeministrin.

Shpalosja e këtyre pankartave është bërë si shenjë proteste ndaj veprimeve të qeverisë së Mickoski-t në raport me shqiptarët si dhe pas paralajmërimeve se disa nene të Ligjit për Gjuhë mund të shfuqizohen nga Gjykata Kushtetuese.

“PO EUROPËS, JO RUSISË”, “Pa përkatësi etnike nuk ka Marrëveshje të Ohrit”, është shkruar në pankartat e tjera që deputetët e “Frontit Evropian”, i kanë mbajtur në duar.

Ky veprim i opozitës shqiptare ka ardhur pasi që të njëjtit kanë filluar një aksion opozitar për të kundërshtuar politikat e qeverisë së Mickoski-t në raport me shqiptarët.

Së fundmi, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i ka dërguar letër Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristjan Micksoki, liderëve të Kosovës e Shqipërisë, si dhe zyrtarëve evropianë e amerikanë, ku ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese.

Në letrën e Ahmetit thuhet se tri vendimet e fundit – raportimet për shfuqizimin e Ligjit të Gjuhëve, ndalesa për identifikim të përkatësisë etnike në institucionet shtetërore dhe formimi i shumicës qeveritare – paraqesin kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit në tërësi.

 

 

Publikime te ngjashme