Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,takoi mbrëmë shoqata dhe organizata shqiptare që veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë bashkëbisedimit me mërgatën, kryeministri Kurti i njoftoi nga afër për të arriturat dhe sukseset e Kosovës, duke theksuar rritjen ekonomike, demokratike e shoqërore.
Zyra e kryeministrit njofton se Kurti ka deklaruar se “vendi ynë me një qeverisje progresiste, ka ngritur platforma që kanë siguruar më shumë vende të reja pune, edhe përmes iniciativave të qeverisë si platforma Superpuna”.
“Ai përmendi edhe mbështetjen për gratë dhe vajzat, për punësimin dhe rritjen e bizneseve të tyre, duke shtuar rëndësinë e fuqizimit të grave brenda shoqërisë. Më tej, kryeministri foli edhe për të arriturat në eksportet dhe investimet, ndërsa potencoi se është rritur buxheti i shtetit dhe është investuar në fushat e sektorët kyç si mbrojtje, arsim, edukim, shëndetësi, bujqësi e teknologji”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se kryeministri ka folur edhe për sundimin e ligjit e luftimin e krimit dhe korrupsionit.
“Shtoi se bazuar edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare, dëshmohet se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik e demokratik të shtetit”.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për kontributin dhe rolin e mërgatës sonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri ritheksoi vullnetin dhe gatishmërinë për të punuar krah për krah mërgatës, për progresin dhe zhvillimin tutje të Kosovës./Telegrafi