Një vit pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici ynë Afrim Bunjaku, tensionet etnike dhe thirrjet për dhunë vazhdojnë të jenë aktuale nga banditët serb. Gjatë një ndeshjeje mes Partizanit dhe Crvena Zvezdës, tifozët serbë ngritën një banderolë provokuese me fotografinë e terroristit Stefan Nedeljkoviq, i cili u vra gjatë aksionit të Policisë së Kosovës vitin e kaluar. Në banderolë shkruhej: “Zgjohuni vëllezër, zgjohuni serb, fitorja do të jetë e jona”, duke nënkuptuar një thirrje të hapur për një tjetër sulm terrorist.
Kjo veprimtari ka ngjallur reagime të ashpra në rrjetet sociale dhe në media. Incidenti i rikthen kujtesës një ngjarje tragjike që tronditi Kosovën, duke nxitur sërish frikën për destabilizim dhe dhunë të mëtejshme në veri të vendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, zyrtarët kosovarë kanë dënuar ashpër këtë akt, duke theksuar se glorifikimi i terroristëve dhe thirrjet për dhunë janë një provokim i papranueshëm. Shumë qytetarë dhe figura publike kanë kërkuar masa të menjëhershme nga autoritetet ndërkombëtare për të ndaluar përshkallëzimin e situatës.