NATO do të hyjë në luftë të drejtpërdrejtë me Rusinë, nëse do të lejojë Ukrainën të sulmojë territorin rus me raketat me rreze të gjatë të siguruara nga perëndimi. Nuk mund të ishte më i ashpër reagimi i presidentit rus Valdimir Putin pas sinjaleve se SHBA dhe Britania e Madhe do të hiqnin shpejt kufizimin për armatimet që i japin Kievit, raporton A2.
Në një prej paralajmërimeve më të forta deri më tani, shefi i Krelminit tha se një hapi i tillë do të ndryshonte natyrën dhe qëllimin e konfliktit.
“Nuk ka të bëjë me lejimin e regjimit të Kievit të sulmojë Rusinë me këto armë apo jo. Ka të bëjë me vendimin nëse vendet e NATO-s janë të përfshira drejtpërdrejtë në konflikt, apo jo. Nëse ky vendim merret do të nënkuptojë asgjë më pak se pjesëmarrjen direkte të SHBA dhe vendeve europiane në luftë. Do të ndryshonte thelbin dhe natyrën e konfliktit. Do të nënkuptonte se vendet e NATO-s , SHBA dhe ato europiane do të luftonin Rusinë”, deklaroi Putin, citon A2.
Putin shtoi me tej se mbi bazën e kërcënimeve të reja që do të krijoheshin, Rusia do të detyrohej të ndërmerrte masat e përshtatshme. Deklarata e Putin erdhi në prag të takimit mes presidentit amerikan Joe Biden dhe kryeministrit britanik Keir Starmer.
Në fokus të bisedimeve pritet të jetë edhe çështja e dhënies së dritës jeshile për Kievin, sa i përket raketave me rreze të gjatë. Por duket se paralajmërimi i Putinit nuk e ka stepur britanikun Starmer, shkruan A2.
”Është Rusia që e nisi këtë luftë, është ajo qe po vepron në mënyrë të paligjshme, dhe është ajo që mund ti japi fund konfliktit menjëherë”, deklaroi kryeministri.
Retorika mes Rusisë dhe perëndimit është përshkallëzuar ndjeshëm gjatë kohëve të fundit. Një ditë më parë një këshilltar i lartë i Kremlinit kërkoi që Rusia, të rishikojë doktrinën bërthamore, në rrethanat që të mund ti përdorë këto armë kundër vendeve që mbështesin agresionin e NATO-s në Ukrainë.