Në xhiron e dytë të ndeshjeve të ligës së dytë në futbollin profesional të Kosovës janë parë skena turpëruese. Më saktësisht në ndeshjen KF Deçani-KF Prizreni.
Në pamjet që ka arritur të sigurojë Insajderi, shihet se si në minutën e 90’ fillojnë sulmet fizike mes lojtarëve të KF Deçanit dhe atyre të KF Prizrenit.
Më pas, në fushë futen edhe tifozët që të ushtrojnë dhunë.
Rezultati ishte 0-1 në të mirë të KF Prizrenit deri në atë periudhë.
Për krejt këto ka reaguar klubi KF Prizreni me komunikatë për media, ku kanë akuzuar mes tjerëve dhe Policinë e Kosovës për mos-intervenim.
“Vlen të permendet edhe mos reagimi i Policisë së Kosovës dhe mos intervenimi i tyre në marrjen e masave ndaj lojtareve te KF Deçani dhe shikuesve që u futën në fushë dhe pa mëshirshëm sulmuan fizikisht lojtarët dhe stafin teknik të FC Prizreni”, thuhet në njoftimin e klubit.
KF Prizreni ka bashkëngjitur dje edhe pamjet e futbollistëve të lënduar si pasojë e sulmeve fizike në drejtim të tyre.