Vdekja tragjike e një studenti shqiptar tronditi Shtetet e Bashkuara 5 vite më parë. I tradhëtuar nga miku i tij i ngushtë, 21 vjeçari Denis Preka, u helmua dhe u xhirua në çastet e tij të fundit të jetës në video që bënë xhiron e rrjeteve sociale.=
Nëna e Denisit, Majlinda, tregon në një intervistë me moderatoren e Top Story Grida Duma, ngjarjen e rëndë të humbjes së të birit dhe gjithë procesin e gjatë gjyqësor për të vënë drejtësinë në vend.
Bashkëshorti i Majlindës, Jamie është ai që ka parë videon e tmerrit prej 3 minutash, ku dukej sesi shokët nuk i erdhën në ndihmë Denisit kur ai po jepte frymën e fundit, por zgjodhën ta filmonin dhe ta tallnin atë. Ai tregon se pamje të tilla aq të rënda, nuk janë as nëpër filma.
“Unë u informova për to nga një miqtë e Denisit. Janë shumë mizore, as në filma nuk i kam parë ato pamje. Mënyra sesi e trajtonin, sa në shqetësim ishte ai dhe ata vazhdonin. Ne shohim vetëm një pjesë të vogël por ai përkeqësohej, por ata nuk njoftuan urgjencën. Sjelle psikopatike. Nuk e lajmëruan ambulancën edhe kur e panë se ai ishte keq.”
Majlinda tregon se Denisi kishte shkuar te shoku i tij i ngushtë për të studiuar pasi të nesërmen kishte provim, por një shok i ka dhënë atij një medikament që i mori jetën.
Ajo që e bën më tronditëse këtë ngjarje, është se shokët nuk telefonuan ambulancën kur ai u bë keq, por u tallën me të dhe tentuan më pas të fshihnin ngjarjen e rëndë.
“Unë e njihja djalin tim, nuk përdorte drogë, as pije. Si mund të përdorësh drogë dhe kur ndodhi kjo ngjarje, pas dy ditësh ishim në shtëpi dhe vjen një shok në shtëpi dhe tregon një video. E kishin torturuar në një mënyrë që nuk ishte njerëzore, po qeshnin, po hidhnin ujë në fytyrë. I ka kërkuar kafe dhe i ka thënë a ke aderol se dua të përqendrohem. Nuk isha e informuar fare. Ky ilaç është i përshkruar nga një mjek, por studentët e pinin për testin një natë përpara. Paul i ka thënë nuk kam aderol dhe ky ka thirr personin tjetër, i ka thënë hajde se kërkon Denisi.
Nikolas ka ardhur me pilula të tjera dhe thotë merre këtë se të ndihmon të studiosh. Kjo nuk është në video por këtë e ka deklaruar Paul. Në 11:17 Denisi kërkon efektet negative të kësaj pilule. Rreth një orë pasi e ka pirë. Historia nuk ka mbaruar aty, sipas mesazheve që i çojnë njëri tjetrin, Denisi ka vdekur nga ora 2:30 e natës. Në orën 3:00 Nikolas i çon mesazh, të lutem hajde si më le në këtë. Në orën 9:11 e kane thirrur policinë, e kanë ditur që kishte vdekur”.