Rohde thotë se Sarrazin s’arriti ta bindë Kurtin të bëjë kompromis për përfaqësim të Kosovës në CEFTA

1 minute, 42 seconds Read

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, tha se emisari i vendit të tij për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin, erdhi në Kosovë për ta nxitur kryeministrin Albin Kurti për të bërë kompromis për CEFTA-n, por tha se kjo dështoi.

CEFTA është një marrëveshje ndërkombëtare e krijuar nga ana e Bashkimit Europian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Manuel Sarrazin vizitoi Kosovën përsëri për të nxitur Albin Kurtin për të bërë kompromis për CEFTA-n, duke mundësuar liritë kryesore për qytetarët e Kosovës, duke zëvendësuar UNMIK-un me Kosovën në bord – pa sukses”, ka shkruar Rohde.

“Nëse është e nevojshme, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë pa Kosovën tani për tani, për të vazhduar me bashkëpunimin rajonal dhe Procesin e Berlinit”.

Në takimin më 29 gusht, Kurti e kishte pritur në zyrën e tij emisarin gjerman bashkë me ministrin e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Aty folën për progresin në zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit në Procesin e Berlinit, bashkëpunimin rajonal dhe pritjet nga samiti i radhës që në 10-vjetorin e tij do të mbahet në Berlin.

Kryeministri theksoi që në kohën kur në rajon shtyheshin platforma të tjera paralele, Kosova është angazhuar plotësisht në Procesin e Berlinit duke kërkuar ri-energjizimin dhe fuqizimin e tij si një platformë që ofron barazi dhe përshpejton procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian për vendet që duan të anëtarësohen.

Kurti kishte thënë se është e rëndësishme që para samitit të radhës “të arrijmë jo vetëm marrëveshje të reja por edhe të sigurojmë zbatimin e marrëveshjeve që tashmë kemi nënshkruar”.

Megjjithatë, në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit s’u përmend kjo temë për të cilën shkroi sot ambasadori Rohde.

Publikime te ngjashme