Alon Ben-Meir, profesor amerikan dhe ekspert i politikës ballkanike, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të hënën, duke komentuar vizitën e fundit të shefit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), William Burns, në disa vende të rajonit, konsideroi se kjo vizitë shënon një moment vendimtar në adresimin e kërcënimit në rritje që vjen nga ndikimi rus.
Shefi i CIA-s qëndroi fillimisht në Bosnje e Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë, në fund të gushtit, derisa eksperti amerikan veçoi posaçërisht vizitën e Burnsit në Prishtinë: “Kjo vizitë nënvizon një lidhje të fortë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke theksuar nevojën për intensifikimin e bashkëpunimit strategjik për të kundërshtuar aktivitetet destabilizuese”.Burns e përmbylli “turneun ballkanik” me një vizitë dyditore në Kosovë – vizita e nivelit më të lartë nga një zyrtar amerikan prej kohësh – në kuadër të së cilës takoi krerët shtetërorë dhe udhëheqësin e inteligjencës. Pak detaje u dhanë rreth asaj që Burns diskutoi në Sarajevë, Beograd e Prishtinë.
Qeveria e Kosovës e vlerësoi vizitën e kryespiunit amerikan si “moment të rëndësishëm historik” në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. E vizita e një prej figurave qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, erdhi ndërsa Uashingtoni synon t’i zbusë tensionet në rritje në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Nga Armat Matoshi