Një grup punëtorësh serbë janë mbledhur sot para objektit të ish-komunës paralele në veri të Mitrovicës.
Siç raporton gazetarja e Telegrafit, Blinera Mehmeti nga vendi i ngjarjes, ata po kërkojnë rikthimin e tyre në punë.
Të njëjtit më parë kanë qenë të punësuar në komunën paralele e cila u mbyll të premten nga institucionet e Kosovës.
Në vendin ku janë grumbulluar serbët, janë parë edhe Policia e Kosovës.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani ka thënë për Telegrafin se të njëjtit kanë ardhur për tu paraqitur në punë.
“Sot kanë ardhur punëtorët të cilët kanë punuar në komunën paralele për tu paraqitur në detyrë, në mesin e tyre ka pasur edhe qytetarë që ju kanë bashkëngjit. Kanë qenë diku 70-80 persona. Ata kanë tentuar me hy brenda me punu. Ne ju kemi tregu që kjo zonë është duke u hetu nga Prokurori i Prokurorisë në Mitrovicë dhe si i tillë është i bllokuar. Masat e sigurisë janë ndërmarrë që në rast se ka nevojë për ndërhyrje ne të bëjmë një gjë të tillë, por nuk ka pasur nevojë”, ka thënë Elshani.
Ai ka shtuar se kjo ndërtesë është pronë e komunës së Mitrovicës që i është dhënë në shfrytëzim Ministrisë së Infrastrukturës.
Ndryshe dje gjatë ditës në këtë objekt është vendosur pllaka e departamentit të patentë shoferëve.