Kreu i rajonit perëndimor të Belgorodit të Rusisë tha se situata në kufirin me Ukrainën ishte “e vështirë, por nën kontroll” pas raportimeve për një sulm ukrainas të martën.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Belgorod dhe zona të tjera kufitare kanë qenë në gatishmëri të lartë që kur Ukraina nisi një sulm rrufe në rajonin fqinj Kursk tre javë më parë dhe ndau një pjesë të territorit nga i cili Rusia ende po lufton për ta “rikthyer nën kontroll”.
Guvernatori rajonal Vyacheslav Gladkov lëshoi një deklaratë të shkurtër pasi kanalet ruse Telegram raportuan një tentativë sulmi në rajonin e Belgorod të martën në mëngjes.
“Ka informacione se armiku po përpiqet të kalojë kufirin e rajonit të Belgorodit”, ka shkruar Gladkov në Telegram.
“Sipas ministrisë ruse të mbrojtjes, situata në kufi mbetet e vështirë, por nën kontroll. Ushtria jonë po kryen punën e planifikuar. Ju lutemi qëndroni të qetë dhe besoni vetëm burimet zyrtare të informacionit”.
SHOT, një kanal lajmesh Telegram, tha më herët se forcat ukrainase kishin sulmuar një pikë kontrolli kufitar në Nekhoteyevka, por ishin “shtyrë” pas humbjeve.
Mash, një tjetër kanal me lidhje me shërbimet e sigurisë, tha se gjithsej rreth 500 trupa ukrainase kishin sulmuar dy pika kontrolli ruse në Nekhoteyevka dhe Shebekino, por SHOT tha se nuk kishte pasur përplasje në Shebekino.
Reuters thotë se megjithatë nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur raportet e fushëbetejës.
Tri javë më parë, Rusia u kap në befasi në rajonin fqinj Kursk, kur mijëra ushtarë ukrainas “goditën kufirin” në sulmin më të madh të huaj në territorin sovran rus që nga Lufta e Dytë Botërore. /Telegrafi