Një taksë e re informale është vendosur në rrugën e Fushë Krujës për të gjithë shoferët që duan të ikin në veri ose në Kosovë, ku së fundmi autoritetet kanë devijuar rrugën e vjetër duke i futur automjetet në qytezën e Thumanës.
Kujtojmë se tashmë një taksë prej 2.4 eurosh është vendosur për segmentin e ri Thumanë-Kashar duke i lënë qytetarët pa rrugë alterative pa pagesë ashtu si ishte premtuar nga qeveria.
Sipas raportimeve të Balkan Web por edhe konstatimit të Telegrafi Shqipëri, banorët e Fushë Krujës dhe të gjithë qytetarët e vendit tashmë duhet të paguajë një taksë po aq sa kalimi në autostradën e re, vetëm sepse duhet të kalojnë në rrugën para një hoteli.
Denoncimi është një skandal dhe as më shumë dhe as më pak është një taksë e re për traun e vendosur nga një biznes privat, që të tarifon 2 euro nëse do zgjedhësh të përdorësh rrugën para biznesit të tij. Bëhet fjalë për Hotel Europa Park, që me apo pa bekimin e institucioneve, me apo pa të drejtë, të tarifon 2 euro.
Trau i ri i vendosur tashmë është një tjetër izolim për banorët e Fushë Krujës.
Pavarësisht se projekti i autostradës së re 21 km parashikonte 4 nyje lidhëse me rrugën ekzistuese, në fund rezultoi se nuk kishte asnjë dalje apo hyrje në autostradë, çka solli edhe protestat e banorëve të zonës.
E vetmja nyje lidhëse është 23 km, pra dy km më poshtë se gjatësia e autostradës, ndërsa banorët të shqetësuar shprehen se po falimentojnë bizneset, janë të izoluar dhe kërkojnë zgjidhje.
E ndërsa prisnin një përgjigje, sot përballen me dhuratën e dytë, taksën që një biznes ua vendos për rrugëkalimin para biznesit të tij.