Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Lojërave Olimpike “Paris 2024” që filluan më 26 korrik, ka qëndruar edhe në zyret e FIFA-s, ku është pritur nga presidenti i organit qeverisës të futbollit botëror, Gianni Infantino, për të diskutuar rreth përmirësimit të infrastrukturës sportive në Kosovë.
Infantino, nëpërmjet një postimi në “Instagram” të martën, përveç se e ka cilësuar “privilegj” takimin me Osmanin, ka shtuar se FIFA do të vazhdojë mbështetjen ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
“Ne folëm sesi futbolli mund t’i bashkojë njerëzit dhe kemi plane për të vazhduar përmirësimin e infrastrukturës sportive në Kosovë, e cila do të mbështesë lojtarët e rinj të talentuar të vendit në realizimin e potencialit të tyre”, ka shkruar ai, duke kujtuar një vizitë të realizuar në Kosovë në 2022.
Ndryshe, vendi i vogël ballkanik së shpejti do të fillojë të përgatitet për fushatën e tretë kualifikuese për kampionatin botëror në vitin 2026, i cili mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Meksikë dhe Kanada. /Ballkani.info