Gjykata Themelore e Ferizajt të hënën e ka dënuar sërish me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit. Ndërsa, i dyshuari tjetër, Arbër Sejdiu, u dënua me 15 vjet burgim për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.
Krivaqa dhe Sejdiu, megjithatë u liruan nga akuza e dhunimit, përkatësisht ndihmës në kryerjen e dhunimit, pasi sipas Gjykatës nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të vërtetuar një gjë të tillë.
Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt. Dy persona, tash të dënuarit Krivaqa e Sejdiu, e kishin dërguar trupin e pajetë të viktimës në spitalin e qytetit dhe më pas ishin larguar në drejtim të panjohur.