Dy persona ndodhen në paraburgim nën dyshimin se ndihmuan Faton Hajrizin pas arratisjes. Një burrë me incialet E.B., dhe gruaja me inicialet H.Xh., po dyshohet se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, por në çfarë forme dyshohet se i ofruan ndihmë ata Faton Hajrizit?
Gazeta Express sjell detaje ekskluzive nga dosja e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës lidhur me këtë rast.
E pandehura H.Xh., ka deklaruar se “hera e fundit që ka pas kontakt me Faton Hajrizin ka qenë dy ditë para se të ndodhte rasti në Serbi”.
Për të pandehurin E.B., ekziston dyshimi se “me 6 korrik me dashje ndihmon personin e arratisur nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë, Faton Hajrizi, me qëllim të shmangies nga zbulimi dhe arrestimi i tij, në atë mënyrë që i njëjti kërkon nga dëshmitari (NN), që të blejë një numër të telefonit, ku si rezultat i kësaj e blen numrin e telefonit dhe të njëjtin ia jep të pandehurit, e të cilin numër i pandehuri ia jep personit të arratisur (Fatonit), dhe pas kësaj prap i pandehuri E.B., me datë 18 korrik i kërkon dëshmitarit që ta tërheq nga edhe një kartelë të re për këtë numër, me arsyetimin se i ka humbur kartela dhe pasi që dëshmitari e tërheq kartelën e re, ia jep të pandehurit E.B., të cilën kartelë ia jep prap të arratisurit Faton në shfrytëzim përgjatë gjithë kohës sa është në arrati, duke i dhënë mundësi të pandehurit që të komunikojë fshehtë dhe të fshehë identitetin e tij, në këtë mënyrë duke e penguar Policinë e Kosovës, në zbulimin dhe arrestimin e tij”, thuhet në kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.
Në këtë kërkesë, thuhet se “një tjetër dëshmitar, një punëtor në një kafiteri në rrugën Mitovicë-Vushtrri, pas mesnatës më 6 korrik, pasi ka dalë në tarasë, një person ia ka kërkuar telefonin me arsyetimin se ka pas aksident dhe të njëjti ia ka dhënë telefonin dhe thotë se i njëjti ka kontaktuar me një person dhe nga ai numër ka kërkuar që ta marrë pranë lokalit dhe të njëjtin thotë se e ka parë kur ka hipur në veturë …”
Sipas prokurorisë ekzistojnë video-incizimet që më 6 korrik rreth orës 3 të mëngjesit e pandehura arrinë para lokalit dhe i arratisuri Faton Hajrizi futet në automjetin e saj.
Tutje, prokuroria ka theksuar se “e pandehura H.Xh., në deklaratën e dhënë në Polici me datën 21 korrik, thotë se me datën 6 korrik derisa ka qenë duke fjetur një numër thotë se e ka kontaktuar disa herë, por nuk e ka hapur dhe pastaj ka pranuar një mesazh me fjalët “Fatoni jom”, dhe pastaj ka kontaktuar me të dhe i ka thënë “vishu hajde merrem tek lokali”. E pandehura thotë se pastaj e ka marrë veturën e saj dhe ka vazhduar të shkojë ku edhe e ka marrë Fatonin…”
“Ndërsa Fatoni i ka thënë që ka pasë një mosmarrëveshje në një lokal në Vushtrri…, ku janë nisur për në Drenicë, por rrugës janë ndalur….dhe gjatë qëndrimit ia ka parë disa lëndime dhe aty kishte kuptuar që Fatoni i kishte treguar që është arratisur nga burgu”, vijon dosja e prokurorisë.
“Pastaj e ka dërguar Fatonin në Drenas”, thuhet në këtë dosje, të cilën e posedon Gazeta Express.
Në dosje shkruan se e pandahura “thotë se ka pasur kontakte me Fatonin dhe e ka përcjellë në TikTok, thotë se e njeh nga viti 2022 përmes rrjeteve sociale dhe të njëjtin e ka vizituar në burg, ndërsa hera e fundit që ka pas kontakt me Fatonin ka qenë dy ditë para se të ndodhte rasti në Serbi”.
Faton Hajrizi i cili u kërkua rreth 40 orë nga autoritetet e Serbisë si i dyshuar për vrasjen e policit serb dhe plagosjen e një tjetri, është vrarë të premten që lam pas.
Ndryshe, sot u dha lajmi se Serbia ka dërguar shenja të gishtërinjve në Kosovë dhe analizat tregojnë se përputhen me ato te Faton Hajrizit.
Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç), të dyshuarve H.Xh dhe E.B.