Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se në dy ditët në vazhdim, të enjten dhe të premten, parashihen ndryshime në kushtet e përgjithshme meteorologjike.
Sipas parashikimit, ndonëse temperaturat do të vazhdojnë të jenë të larta, do të ketë reshje shiu dhe breshëri si dhe shkarkime rrufesh.
Edhe sonte gjatë natës sipas Institutit parashihet që në shumë pjesë, kryesisht në viset e larta të ketë riga shiu dhe shkarkime rrufesh.
Sipas Institutit të enjten do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat gjatë ditës do të intensifikohen duke krijuar kushte për riga shiu dhe shkarkime rrufesh, ndërsa në zonat e kufizuara ekziston rrezik për breshër.
Temperaturat minimale sipas parashikimit do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 30-34 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes dhe veriperëndimit me shpejtësi 1-8m/s.
Edhe të premten pritet të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Vranësirat gjatë ditës parashihen të dendësohen, duke krijuar mundësi për riga shiu me shkarkime rrufesh.
Temperaturat minimale thuhet se do të lëvizin ndërmjet 15-19 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31-33 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-5m/s.