Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka nënshkruar sot emërimin e 100 noterëve të rinj, derisa ka refuzuar 6 kandidatë për shkak se nuk i kanë plotësuar kushtet.
Ajo ka thënë se vendimet do të publikohen të hënën në faqen e ministrisë.
Sipas Haxhiut, ky proces ka qenë transparent dhe më profesionali i organizuar ndonjëherë.
“Për shkak të përvojave të hidhura në të kaluarën, ky proces i Provimit të Noterisë ka qenë ndër proceset më transparente e profesionale të organizuara ndonjëherë. Me përzgjedhjen e 100 noterëve të rinj kemi dëshmuar që edhe mund t’i përmbushim nevojat e qytetarëve por edhe meritokracinë”, ka shkruar Haxhiu.
Njoftimi i plotë:
100 noterë të rinj iu shtuan vendit tonë me ç’rast sot kam nënshkruar edhe vendimet për emërimin e tyre, ndërsa për shkak të mosplotësimit të kushteve emërimi i 6 kandidatëve të tjerë për noter është refuzuar.
Vendimet do të publikohen të hënën në ëebfaqen e Ministrisë së Drejtësisë.
Për shkak të përvojave të hidhura në të kaluarën, ky proces i Provimit të Noterisë ka qenë ndër proceset më transparente e profesionale të organizuara ndonjëherë. Me përzgjedhjen e 100 noterëve të rinj kemi dëshmuar që edhe mund t’i përmbushim nevojat e qytetarëve por edhe meritokracinë.
Falenderoj Komisionin për Provimin e Noterisë, Komisionin për përzgjedhjen e noterëve dhe stafin mbështetës të Ministrisë për punën dhe angazhimin e tyre profesional.