Përgjatë dy dekadave të fundit, huliganët serbë të futbollit kanë formësuar nacionalizmin e linjës së ashpër që përfundoi në një shkallë të paparë të dhunës në fund të viteve ’90-të. Në këtë kontekst, rikthimi i nacionalizmit agresiv serb në Euro 2024, vlerësojnë vëzhgues të politikës ballkanike, mund të jetë shenjë paralajmëruese për ripërtëritjen e konflikteve në rajon.
Aidan Hehir, ligjërues në Universitetin e Westminsterit në Londër të Britanisë së Madhe, konsideron se mesazhet politike, shoviniste dhe raciste kundër Kosovës të huliganëve serbë gjatë ndeshjes Serbi-Angli në kuadër të kamponatit evropian të futbollit, janë dëshmi e mëtejshme se nacionalizmi agresiv serb është duke u rritur. Dhe kjo mund të çojë në luftë në të ardhmen.
“Për shumë dekada ka pasur një lidhje të fortë midis huliganëve të futbollit dhe nacionalizmit serb… thirrjet dhe pankartat e huliganëve serbë në Euro 2024 janë dëshmi e mëtejshme se nacionalizmi agresiv serb është në rritje. E nëse kjo nuk kontrollohet, mund të jetë vetëm çështje kohe kur nacionalizmi serb të provokojë sërish luftë në rajon”, paralajmëron mes tjerash Hehir.
Flamuj të Serbisë mbi hartën e Kosovës nën mbishkrimin “nema predaje/s’ka dorëzim” u shfaqën në stadiumin “Veltins-Arena” në Gelsenkirchen të Gjermanisë, ku Anglia dhe Serbia u përballën në kuadër të xhiros së parë të Grupit C. Në ulëset e stadiumit u panë edhe flamuj rusë në mesin e atyre serbë, derisa u dëgjuan edhe thirrjet raciste ndaj futbollistëve anglezë.
Në fund të viteve 1980, veçanërisht në fillim të viteve 1990, huliganët serbë të futbollit mobilizuan njerëzit rreth ideologjisë nacionaliste serbe, në një terren ideologjikisht dhe fizikisht të kontestuar. Hehir kujton se huliganët serbë të futbollit shkuan ndër të parët në luftë si pjesë e regjimit fashist të presidentit të atëhershëm jugosllav, Sllobodan Millosheviç, në vitet ’90.
Disa u rekrutuan nga komandanti i formacionit paramilitar serb, Zheljko ‘Arkan’ Razhnatoviç, i cili drejtoi grupin e ultrasve të klubit futbollistik “Crvena Zvezda/Ylli i Kuq” në Beogard. Kur shpërthyen luftërat jugosllave, shumë nga huliganë të “Delije” u bashkuan me “Tigrat e Arkanit”, përgjegjës për krime lufte në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.
Konrad Clewing, historian dhe studiues i lartë në Institutin e Evropës Lindore dhe Juglindore (IOS) në Regensburg të Gjermanisë, vëren se në përgjithësi, huliganët serbë të linjës së ashpër, vecanërisht në kryeqytetin serb, kanë traditën e tyre të dhunës dhe nacionalizmit radikal, që daton prej viteve të fundit të Republikës Federale Socialialiste të Jugosllavisë (RFSJ).
“Që atëherë, huliganët serbë kanë zhvilluar një lloj radikalizmi, nacionalizmi dhe ndërlidhjeje me krimin e organizuar, që i bën agresivë në shumë aspekte. Aktualisht, ndeshjet e Euro 2024 ofrojnë një mundësi për nacionalistët serbë që të shfaqin qëndrimin e tyre armiqësor dhe revizionizmin e tyre territorial ndaj Kosovës në një publik të gjerë ndërkombëtar”, kujton ai.
E shumë nga huliganët e “Delije” që humbën jetën gjatë luftërave jugosllave përkujtohen si “heronj kombëtarë” edhe sot e kësaj dite në Serbi, kurse të gjallët lëvizin lirshëm nëpër rrugët e Beogradit. Për zëvendësdrejtorin e Inciativës Evropiane për Stabilitet (ESI), Kristof Bender, gjuha e urrejtjes dhe pretendimet territoriale janë pjesë e narrativës dominuese politike në Serbi.
“Në demokracitë e pjekura këto pikëpamje i përkasin skajit ekstrem dhe rastet ekstreme zakonisht dënohen nga partitë kryesore politike. Në Ballkan, këto incidente nuk dënohen kurrë. Por ajo që është më shqetësuese është se ksenofobia, gjuha e urrejtjes dhe në disa raste edhe pretendimet territoriale janë pjesë e narrativës dominuese politike të disa partive qeverisëse”.
Në fund të verës së vitit të kaluar, pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me shumicë serbe, kujton studiuesi austriak, autoritetet serbe nën udhëheqjen e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vucic, shpallën 27 shtatorin ditë të zisë kombëtare për pjesëtarët e grupit që u vranë nga Policia e Kosovës gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Bender, derisa përmend koreografinë luftënxitëse të huliganëve serbë “kur ushtria të kthehet në Kosovë” që u shfaq para fillimit të një ndeshjeje miqësore midis “Crvena Zvezdas” dhe “Fiorentinas” më 26 korrik 2023 në Beograd, shton se “kjo është vërtet e rrezikshme” për shkak se koreografia luftënxitëse pastaj u rikrijua edhe në pjesë tjera të rajonit ku jetojnë serbët.
“E autoritetet e futbollit duhet të kuptojnë se nacionalizmi serb në ndeshjet e futbollit është në thelb politik dhe paraqet rrezik në një mënyrë që është unike për Serbinë. Ata duhet të mbajnë një qëndrim të ashpër dhe të shtypin çdo shfaqje të mëtejshme të nacionalizmit agresiv”, sugjeroi nga ana tjetër Hehir, i cili shpreh drojën për potencialin shkatërrues të nacionalizmit serb.
Clewing megjithatë deklaron se “nacionalizmi konkurrues ballkanik” vërehet edhe në mesin e tifozëve shqiptarë nëpër stadiumet e futbollit në kuadër të Euro 2024 në Gjermani, posacërisht për shkak të mungesës së kombëtares së Kosovës, pjesëmarrjes së theksuar të lojtarëve kosovarë në kombëtaren shqiptare dhe lidhjes emocionale të diasporës kosovare me Shqipërinë.
“Në Evropën Perëndimore do ta kenë të vështirë ta deshifrojnë saktë këtë fenomen… Sidoqoftë, tifozët shqiptarë këshillohen të mos konkurrojnë me huliganët serbë për të kundërshtuar ekspertizën e tyre në qëndrime poshtëruese antishqiptare. Dënimi i kombëtares serbe për sjelljet e pahijshme nacionaliste është një hap i domosdoshëm që pritet nga UEFA”.
UEFA njoftoi më 17 qershor për hapjen e procedurave disiplinore dhe nisjen hetimeve të mëtejme për sjelljen e huliganëve serbë gjatë ndeshjes mes Anglisë dhe Serbisë në Euro 2024. Në akuzat e UEFA-s kundër Federatës së Futbollit të Serbisë (FFS) përfshihen ndër të tjera edhe transmetimi i mesazheve provokuese të papërshtatshme për një ngjarje sportive.