Arrestimet e fundit të pesë oficerëve të lartë ushtarakë rusë ka të ngjarë të jenë vetëm të parat nga dhjetëra figurat ushtarake që do të burgosen në një spastrim gjithëpërfshirës nga shërbimet e sigurisë, thanë për The Moscow Times zyrtarë të qeverisë ruse dhe burime pranë Kremlinit dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Gazeta shkruan se FSB-ja ruse (Shëbimi Federal i Sigurisë) po përpiqet ta shuajë korrupsionin ushtarak duke ndjekur gjeneralët e rangut të lartë me shpresën për t’ua vënë fajin për pushtimin e dështuar të Ukrainës në vitin 2022.
Por arrestimet rrezikojnë ta çojnë ushtrinë në trazira në një kohë kur Moska po kërkon të përfitojë nga mungesat e armëve të Kyivit dhe të shtyjë më tej në territorin ukrainas.
Të gjitha burimet e The Moscow Times kërkuan anonimitet për të diskutuar një çështje të ndjeshme që përfshin ushtrinë dhe FSB-në.
“Ka një pastrim të ashpër. FSB po pastron ekipin e [ish-ministrit të Mbrojtjes Sergei] Shoigu. Është për t’u pritur. Ky lloj operacioni mund të kryhet vetëm me miratim në krye [të udhëheqjes së vendit]”, tha një burim pranë Kremlinit për The Moscow Times.
Spastrimi duket të jetë kulmi i luftimeve të brendshme të kohës së luftës dhe konkurrencës për burime midis shërbimeve të sigurisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes – dhe shënon një fitore për FSB-në, pasardhësin e KGB-së sovjetike, në favorin e ish-agjentit të KGB-së, presidentit Vladimir Putin.
“Ka ende një rrugë të gjatë për të bërë para përfundimit të spastrimeve. Më shumë arrestime na presin”, shtoi ai.
Në dy javë që nga shkarkimi i papritur i shefit të mbrojtjes, Shoigu, katër oficerë të rangut të lartë janë arrestuar me akuza që variojnë nga ryshfeti deri te shpërdorimi i pushtetit, e fundit prej të cilave erdhi vonë të enjten në mbrëmje.
Ndërsa këto arrestime po shtohen, ato mund të zgjerohen në “spastrimin më të madh” në historinë moderne ruse, tha një zyrtar i qeverisë ruse në detyrë për The Moscow Times.
“Unë mendoj se deri në fund të vitit, dhjetëra, ndoshta qindra njerëz të rangjeve të ndryshme do të arrestohen në të gjitha njësitë e Ministrisë së Mbrojtjes”, tha zyrtari i qeverisë ruse.
Kremlini nxitoi të pohonte se arrestimet nuk ishin gjë tjetër veçse rezultat i punës së vazhdueshme për ta çrrënjosur korrupsionin në çdo nivel të qeverisë.
“Kjo është punë e vazhdueshme dhe konsistente për ta luftuar korrupsionin, jo fushatë”, tha të enjten zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov.
Por edhe pse mediat e pavarura, opozita dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë raportuar për korrupsionin e shfrenuar të ushtrisë prej vitesh, arrestimet e gjeneralëve filluan vetëm pasi u bë e qartë se Shoigu do ta humbte punën e tij.
Kjo gazetë shkruan se shërbimet e sigurisë po “triumfojnë” në konfrontimin midis dy agjencive kryesore të sigurisë gjatë kohës së luftës – ushtrisë dhe FSB-së.
“Duhet të jetë një palë e vetme që duhet fajësuar për dështimin e pushtimit”, tha një burim.
“Ose janë shërbimet speciale, të cilat ishin të angazhuara në përgatitjet e inteligjencës dhe analitike për luftën dhe i premtuan Putinit një operacion triumfues dhe një fitore të shpejtë, por dështuan” tha ai, “ose ‘ushtria e dytë e botës’ nën Shoigu, i cili supozohej ta siguronte fitoren e Putinit – por doli të ishte një tigër letre dhe dështoi keq”.
Kur u pyet nëse spastrimet mund t’i pengojnë përpjekjet e luftës duke e çuar në rrëmujë udhëheqjen ushtarake në një kohë kur Rusia po kërkon të përfitojë nga mungesat e municioneve të Kyivit, burimi tha: “A mendoni vërtet se ndonjë prej tyre [FSB] në në këtë moment janë të shqetësuar për suksesin e operacionit special?”.