I dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak thotë se javën e ardhshme mbahet takim i ri në Bruksel për çështjen e dinarit. Ai bëri thirrje edhe një herë për zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Planit Implementues (Aneksit të Ohrit).
Lajçak tha në Sofje se ‘në takimin e fundit në nivel negociatorësh’ të dy palët ‘janë pajtuar për idetë e tij rreth dinarit’.
“Pra, ne do të takohemi javën e ardhshme dhe shpresojmë të finalizojmë marrëveshjen bazuar në idetë e paraqitura nga BE. Ne u gjendëm edhe një herë në një situatë ku duhet të merremi me pasojat e vendimit dhe të mos diskutojmë para se të marrim vendimin,” tha Lajçak.
“Të dyja palët po vijnë dhe atmosfera është më konstruktive se zakonisht. Unë do të thoja se ka përpjekje për të gjetur një zgjidhje,” vlerësoi Lajçak.
Komentet Lajçak i bëri gjatë forumit ‘BE takon Ballkanin’ në Sofje.