Edward Joseph, ligjërues universitar dhe njohës i rrethanave politike në rajon, në një intervistë për platformën hungareze “The Long Brief” të martën, tha se përderisa Serbia mbetet problemi më i madh në Ballkanin Perëndimor, njohja e Kosovës nga pesëshja e Bashkimit Evropian (BE) – Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro – mbetet çështje thelbësore.
“Njohja uniforme e Kosovës është esenciale. Problemi është se pesë vende të BE-së, katër prej të cilave janë në NATO, nuk e njohin Kosovën. Për shkak të kësaj, as Serbia nuk e njeh. Kjo lojë kërkon pjesëmarrjen e Serbisë sepse ka pakica serbe në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë. Serbia mund ta luajë këtë lojë me pakicën e vet”, theksoi Joseph.
“Serbia përdor pakicat për të arritur qëllimet. Më shumë është një problem politik. Por nëse ata ndryshojnë qëndrimin e tyre, qoftë edhe vetëm ndaj NATO-s, është e mundur të zgjidhet. Në një artikull tjetër, unë shpjegoj se nëse Ukraina e njeh Kosovën, atëherë të tjerët do të duhet të ndjekin shembullin”, kujtoi ndër të tjera njohësi amerikan i çështjeve rajonale.
Joseph shtoi se BE-ja është pothuajse 100 për qind përgjegjëse për problemet në Ballkanin Perëndimor, megjithëse blloku është përmirësuar kohët e fundit. Megjithatë, sipas ekspertit amerikan, vetëm BE-ja nuk është e aftë të ruajë paqen dhe sigurinë në rajon. Prandaj, duhet përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) që është udhëheqëse e proceseve.