Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku pas bastisjes së Sylejman Selimit e marrjes së Sami Lushtakut në zyrat e EULEX-it, është shprehur se të tilla skenare do të dështojnë.
Ndër të tjera ajo tha se edhe ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë duke u mbajtur peng, ku sipas Çitakut është një proces absurd.
E për Gjykatën Speciale në Hagë tha se është kthyer në një mekanizëm përndjekës.
“Një Gjykatë e cila kishte për detyrë të bënte drejtësi pas akuzave monstruoze e të fabrikuara për trafikim organesh, ka përfunduar në një mekanizëm përndjekës, duke konfiskuar telefona, duke bastisur shtëpi, e duke u përpjekur të instalojë frikë e terror. Mungesa e provave në proces po mundohet të kompenzohet me krijim të dramave këtu brenda Kosovës”, u shpreh kështu Çitaku në Facebook.
“Të tilla ishin edhe këto skenaret e ditëve të fundit me Hajredin Kuçin, Sami Lushtakun dhe Sylejman Selimin. Keni me dështu. Nuk iu frikësohet askush. Sepse nuk kemi pse. Dielli do të lindë përsëri”.