Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në Këshillin e Sigurimit në një mbledhje e thirrur nga Serbia.
Kurti ka thënë se Serbia bën spastrim etnike ndaj shqiptarëve etnikë në Luginë të Preshevës.
Ai përmendi pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë.
“Të fokusohemi tek trajtimi nga Serbia i shqiptarëve etnikë atje sot. Fushata e spastrimit etnik që bëhet në mënyrë administrative, qeveria serbe sistematikisht i ka hequr mbi 4.200 shqiptarë etnikë nga regjistri civil në Medvegj dhe mbi 2000 në Bujanoc”.
“Kjo lloj fushate është me qëllim të depopullimit të shqiptarëve. Nuk janë shënjestra e vetme e regjimit autoritar serb”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti:
Të gjitha këto janë pretendime të rrejshme të persekutimeve nga një vend që është i njohur që ka kryer gjenocidin e fundit të shekullit 20. Kosova doli nga lufta si simbol i luftës për dinjitet dhe triumf i të drejtave të njeriut. Nuk kemi qenë të trishtuar, kemi ndërtuar vetën në një shoqëri shumëertnike dhe shumëkulturore me një shtet që sheh përpara dhe është solid demokratik. Çerekshekulli pas luftës qëndrojmë krenarë si Republikë për të gjithë, shoqëri shumëetnike për të gjithë.Me krenari themi që e zbatojmë Kushtetutën me masat më të larta të mbrojtjes së të drejtave të pakicave, 20 ulëse të garantuara në parlament nga 120 në total, prej të cilave 10 janë të serbëve veçanërisht. Serbët në Kosovë kanë po ashtu 10 nga 38 komunat në Kosovë. Gjuha serbe është gjithkund gjuhë zyrtare. Ideja që Kosova po kryen spastrim etnik apo persekutim ndaj komunitet serb është thjesht gënjeshtër që është demantuar nga shumë organizata ndërkombëtare. Të fokusohemi te trajtimi nga Serbia i shqiptarëve etnikë atje sot. Fushata e spastrimit etnik që bëhet në mënyrë administrative… Qeveria serbe sistematikisht i ka hequr mbi 4 mijë e 200 shqiptarë etnikë nga regjistri civil në Medvegjë dhe mbi 2 mijë në Bujanoc. Kjo shlyerje e njerëzve ka pasoja të prekshme, viktimat nuk kanë qasje më në letërnjoftime, pasaporta, shërbime mjekësore, ndihmë sociale, transaksione pronësore, pensione dhe të drejta votimi, pra i bën ata të jenë pa shtet. Kjo fushatë është metodë e shpopullimit të shqiptarëve atje. Tash flasim për rregulloren e BQK-së. Rregullorja nuk bën asgjë, as nuk e ndalon e as nuk e pengon Qeverinë e Serbisë që të ofrojë ndihmë financiare për serbët e Kosovës. Gjithçka tjetër është propagandë e rrejshme dhe nxitje e tensioneve. Rregullorja sjell ligjshmëri të importit të parave në Kosovë në përputhje me kushtetutën dhe politikën monetare të BE-së. Beogradi ka thirrur alarm jo për shkak të këmbimit të dinarit në euro, por për shkak se po ndalohen thasë me dinarë në kufij dhe ata ankohen jo për shkak të brengës për qytetarët serbë të Kosovës, por sepse ato tubacione të parave në veri të Kosovës po ndalen.
Një rast i qartë ndodhi më 24 shtator të vitit të kaluar. Rreth 80 paramilitarë të mbështetur nga Serbia filluan një sulm të paprovokuar ndaj patrullës policore në Kosovë duke rezultuar me vdekjen e policit Afrim Bunjaku dhe lëndimin e dy të tjerëve. Përkundër përpjekjes terroriste duke përdorur edhe pelegrinët e pafajshëm si mburoja, Policia jonë i ka shmangur këto viktima. Më 27 shtator Serbia shpalli ditë zie për terroristët e vrarë nga Policia e Kosovës dhe nga operacioni anti-terrorist. E vërejtët që sot, z. Vuçiq po rikujtonte disa serbë që janë lënduar apo plagosur në incidente të ndryshme, por nuk i përmendi tre serbët e vrarë, pse nuk i përmendi këta? Sepse e di që ata kanë qenë terroristë të financuar, mbështetur dhe orkestruar nga ai vetë dhe mu për këtë tre serbët e vrarë nuk u përmendën fare.
Serbia refuzon dy obligime kyçe, që të mos pengojë anëtarësimin ndërkombëtar të Kosovës dhe të mos respektojë integritetin territorial. Nënshkrimi i marrëveshjes nuk është vetëm formalitet është edhe garanci për implementimin e saj të plotë dhe të pakusht, edhe për paqen dhe sigurinë në Ballkan. Përkundër ofertave të mia të përsëritura, z.Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë, e ftoj të nënshkruajë këtu sot, menjëherë, duke theksuar rolin krucial të kartës së OKB-së në këtë marrëdhënie. Ky akt simbolik do të demonstronte përkushtimin e tij për marrëdhënie paqësore me Kosovën.
Kurti ka thënë po ashtu se nuk është befasi që Serbia nxit probleme nga veprimet e ligjshme të Kosovës. Ai ka kujtuar se Serbia udhëhiqet nga fytyra të lart të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq.