Vizat u hoqën më 1 janar për shtetasit e Kosovës, mirëpo jo edhe për qytetarët serbë që kanë pasaporta ilegale. Për të udhëtuar në Evropë, mbi 800 serbë kanë aplikuar për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës. Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë thënë se muajve të fundit kanë parë rritje të theksuar të aplikimeve. MPB thotë se kanë material të mjaftueshëm për të pajisur me pasaporta qytetarët që aplikojnë.
Nga 1 janari Kosovës i janë hequr vizat. Të gjithë qytetarët mund të udhëtojnë në shtetet e zonës Shëngen pa pasur nevojë që paraprakisht të pajisen me viza. Mirëpo një gjë e tillë ende nuk vlen për qytetarët serbë të Kosovës që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, të lëshuara nga Serbia.
Për të shfrytëzuar të drejtën e udhëtimit, interesim kanë edhe nga qytetarët serbë të katër komunave veriore.
Vetëm gjatë muajit janar, për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës, kanë aplikuar 826 persona. Nga Ministria e Brendshme, për Express, kanë treguar se sa është numri për secilën komunë veçmas.
“Leposaviq 155; Zubin Potok: 125; Zveçan 112; Mitrovicë e Veriut 434”, thuhet në përgjigjen e MPB’së.
Ndërkaq deri më 31 dhjetor të vitit 2023, për pasaportë të Kosovës, kanë aplikuar 6 mijë e 310 qytetarë serbë.
“Leposaviq 693; Zubin Potok 911; Zveçan 671; Mitrovicë e Veriut 4035”.
Nga kjo ministri kanë thënë se muajve të fundit kanë parë rritje të theksuar të aplikimeve nga qytetarët në komunat me shumicë serbe krahasuar me vitet e kaluara.
MPB ka thënë se posedojnë material të mjaftueshëm që t’i plotësojnë kërkesat e qytetarëve për t’u pajisur me pasaportë.
“Muajve të fundit kemi parë një rritje të theksuar të aplikimeve nga qytetarët tanë në komunat me shumicë serbe krahasuar me vitet e kaluara. Mirëpresim vullnetin e shtuar së fundmi nga qytetarët e komunitetit serb për t’u pajisur me pasaportë të Republikës së Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme ka material të mjaftueshëm që ti plotësojë të gjitha kërkesat e qytetarëve për t’u pajisur me pasaportë të Republikës së Kosovës”, kanë thënë nga MPB për Gazetën Express.
Komisioni Evropian ka thënë me 13 janar të këtij viti se pret që në procesin e përbashkët ndërinstitucional në Bashkim Evropian të miratohet kërkesa e tij që liberalizimi i vizave të vlejë edhe për bartësit e pasaportave të Serbisë, të cilët banojnë në territorin e Kosovës.
Mirëpo këtë propozim e ka kundërshtuar Qeveria e Kosovës, duke thënë se ky propozim pengon integrimin e komunitetit të serbëve të Kosovës dhe legjitimon strukturat paralele ilegale të Serbisë në Kosovë, shuarja e të cilave është kërkuar nga BE.