Nëse Serbia nuk e njeh Kosovën do të ketë një konflikt të ngrirë, ka thënë ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, në një intervistë për mediumin nga Kosova në gjuhën serbe Kosovo Online.
Rohde tha se gjithmonë ndodhë kështu, pasi “kur nuk ka përparim, atëherë kemi një konflikt të ngrirë”.
Diplomati gjerman ka paraparë edhe një skenar tjetër të errët për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, nëse nuk ikën nga konfliktet për t’u afruar drejt bashkëpunimit.
“Unë gjithmonë them se nëse Evropa nuk vjen në rajon dhe nëse rajoni nuk i bën detyrat e shtëpisë, njerëzit do të shkojnë në Evropë. Po e shoh demografinë e gjithë Ballkanit Perëndimor – Serbia ka humbur një milion njerëz në 10 vitet e fundit, Bosnja po humbet njerëz, shkalla e migrimit në Kosovë është gjithashtu e lartë”, deklaroi Rohde.
Prandaj, pohoi se për të mirën e gjithë rajonit “liderët politikë duhet të gjejnë kompromise”.
Rohde ka folur gjithashtu për Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit dhe faktin se ajo përkundër se u dakordua nuk po respektohet në tërësi.
“Në marrëveshjet e Ohrit dhe Brukselit ishte paraparë që Serbia të mos e kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, por tani kemi retorikë kundër saj”, pohoi ambasadori.
“Megjithatë, ju keni një tekst të shkruar në prani të një përfaqësuesi të lartë ndërkombëtar, i cili tha se ka një marrëveshje dhe tani është koha për të zbatuar marrëveshjen. Duhet të jeni të sigurt se BE-ja, Gjermania dhe QUINT-i po punojnë shumë për të arritur marrëveshjen nga të dyja palët”.
Duke folur për obligimet e Kosovës dhe Serbisë që dalin nga marrëveshja, Rohde tha se “Kosova ka obligimet e veta, ndër to është edhe Asociacioni i Komunave Serbe, por obligime ka edhe pala tjetër, Serbia. Pritshmëria jonë është që marrëveshja të zbatohet, sepse kjo është mënyra e vetme për të realizuar rrugën drejt Evropës, paqes dhe sigurisë”.
VIDEO BONUS: Haliti s’i përjashton koalicionet: Do punojmë për të dalë partia e parë