3 të vdekur e qindra të plagosur nga termeti i sotshëm në Turqi

2 minutes, 42 seconds Read

Lëkundje të tjera tërmeti janë ndjerë në Turqi në rajonin Hatay pasditen e 20 shkurtit, me magnitudë 6.4 Rihter, duke shkaktuar edhe tre viktima të tjera dhe duke iu bashkëngjitur kështu bilancit tragjik të tërmeteve të 6 dhe7 shkurtit, të cilat morën mbi 46 mijë jetë mes Turqisë dhe Sirisë.

Nga ana tjetër, 213 persona janë raportuar të lënduar deri tani, nga sizma e sotme, kur po shqyrtohet situata për të tjerë persona, të cilët mund të jenë prekur.

E gjitha vjen pikërisht një ditë pasi grupet e kërkim-shpëtimit e përmbyllën punën e tyre dy-javore, për gjetjen e të mbijetuarve.

Ndërsa, sipas një njoftimi nga Emergjencat Civile turke, dhjetëra godina të tjera, shumica prej të cilave në Antakya, janë shembur krejtësisht, pasi kishin pësuar dëme nga tërmetet e para.

Në bazë të raportimeve, lëkundjet kanë qenë aq të fuqishme, sa janë ndjerë deri në ishullin e Qipros, Liban dhe Izrael.

Mbarë bota u trondit nga bilanci i viktimave në Turqi dhe Siri, për shkak të tërmetit, ku mbi 46 mijë persona, kanë mbetur të vdekur në total.

Vetëm në Turqi, bilanci aktual ka shkuar në 40 mijë e 642 viktima dhe puna kërkimore në shumicën e provincave, është përmbyllur.

Situatë tepër e rëndë është edhe ajo në Siri, ku 5 mijë e 700 persona janë raportuar se kanë humbur jetën nga tërmeti. Por, ky bilanc, prej disa ditësh nuk ndryshon dhe nuk bëhet me dije nëse operacionet në rajonet veriore të Sirisë vijojnë ende apo jo.

Për dy javë të plota, mbi 100 mijë ekspertë të kërkim-shpëtimit, përfshi edhe ata nga 95 vende të botës, të cilët erdhën menjëherë në ndihmë për Turqinë, u angazhuan në misione në vende të ndryshme.

Të prekur ndërkaq nga tërmeti, vetëm në Turqi janë 13.5 milionë njerëz, të cilët jetojnë në një rreze prej 450 kilometrash nga epiqendra, duke përfshirë rajone të mëdha si Adana, apo Diyarbakir e Hatay.

Ndihmat në Siri ndërkaq, kanë qenë problem madhor, pasi janë hasur shumë vështirësi në dërgimin e tyre, prej qëndrimit të regjimit të presidentit sirian, Bashar Al-Assad, për të mos i ndihmuar territoret e zotëruara nga rebelët.

Këto të fundit janë ato më të goditurat megjithatë.

Ndihmat e para drejt Sirisë shkuan me tepër vonesë dhe një rritje e numrit të viktimave pritet të ketë edhe atje.

Një solidarizim i madh ka ardhur edhe nga vetë banorët e shteteve respektive, të cilët pa ngurrim kanë vrapuar për të dhuruar veshje, ushqim, apo edhe gjak për të mbijetuarit, të cilët tashmë duhet të presin edhe një kalvar peripecishë, për t’iu kthyer normalitetit.

Nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, është premtuar se të gjitha lagjet e shkatërruara do të rimëkëmben me standardet më të larta.

Arrestimet ndërkohë, nuk kanë munguar ndaj ndërtuesve, pallatet e të cilëve janë shembur pas tërmetit dhe kritikat, edhe ndaj Qeverisë, kanë qenë jo të pakta, për lejimin e tyre.

Publikime te ngjashme