Pavarësisht reshjeve të shiut, sheshi “Skënderbej” në Tiranë ka nisur të mbushet me qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët po mblidhen për protestën gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, e cila nis në orën 17:00. Minutë pas minute, atmosfera po gjallërohet me mbërritjen e autobusëve nga Kosova dhe bashkatdhetarëve nga diaspora.
Mes të parëve që kanë mbërritur është 78-vjeçari Daut Maloku nga Prishtina. Për “Euronews Albania”, ai u shpreh se po marshon për të mbrojtur të vërtetën e luftës. “Ajo që po ndodh në Hagë është devijim nga e vërteta. Lufta çlirimtare ishte e pastër si loti dhe vlerat e saj janë amanet nga dëshmorët,” deklaroi ai.
Thirrjes i janë përgjigjur edhe shqiptarë nga diaspora. Një grup prej dhjetë miqsh ka udhëtuar enkas nga Bazeli i Zvicrës për t’u bërë pjesë e këtij tubimi. “Kemi ardhur të japim përkrahje për çlirimtarët. Ata janë liria e Kosovës, falë gjakut të dëshmorëve dhe Hashim Thaçit me bashkëluftëtarë. Jemi krenarë që kemi qenë pjesë e asaj historie,” tha njëri prej tyre, duke shtuar se “Hashim Thaçi është ikona e Shqiptarisë”./lajmishqip.net