Deputeti i Partisë Socialdemokrate (SPD) në Bundestagun gjerman, Adis Ahmetoviq, ka deklaruar se Serbia nuk mund të kërkojë të drejta dhe standarde për pakicën serbe në Kosovë, ndërkohë që shkel dhe injoron të drejtat e pakicës shqiptare në Luginën e Preshevës. Në një intervistë për Deutsche Welle, Ahmetoviq, i cili është zëdhënës për politikë të jashtme i grupit parlamentar të SPD-së, trajtoi një sërë çështjesh kyçe për Ballkanin Perëndimor.
Duke folur pas një takimi me një delegacion nga Lugina e Preshevës, Ahmetoviq pranoi se situata e shqiptarëve në Serbi nuk ka pasur vëmendjen e duhur nga Gjermania dhe BE-ja. Ai e konsideroi plotësisht legjitime kërkesën që të drejtat e shqiptarëve të përfshihen në agjendën e dialogut Kosovë-Serbi. “Përse të mos vlejnë standardet që kërkon qeveria serbe për serbët në Kosovë edhe për shqiptarët në Serbi?”, pyeti ai, duke theksuar se zbatimi i marrëveshjeve për të drejtat e pakicave është parakusht për perspektivën evropiane të Serbisë.
Intervista u zhvillua në kontekstin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, të cilin Bundestagu e shënoi me një debat të posaçëm. Ahmetoviq, i prekur personalisht nga lufta në Bosnjë, theksoi rëndësinë e luftimit të mohimit të gjenocidit dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës nga qarqe politike në rajon. Ai tha se Srebrenica është një kujtesë e përhershme se Ballkani Perëndimor është pjesë qendrore e Evropës dhe se stabiliteti i tij kërkon vëmendje të vazhdueshme.
Sa i përket Kosovës, deputeti gjerman shprehu mbështetje të palëkundur për anëtarësimin sa më të shpejtë në Këshillin e Evropës, duke thënë se “po të varej nga SPD, kjo do të ndodhte dje e jo nesër”. Ai kritikoi qeverinë e kaluar gjermane për mungesë presioni dhe u zotua se do t’ia kujtojë qeverisë aktuale premtimet e saj. Megjithatë, ai shprehu shqetësim për bllokadën aktuale politike në Prishtinë. Duke theksuar marrëdhëniet e mira me qeverinë Kurti si “parti motra”, ai bëri thirrje për rikthimin urgjent të stabilitetit politik, pasi një parlament funksional është thelbësor për avancimin e agjendës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës, raporton lajmishqip.