Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se hapat për caktimin e mandatarit të qeverisë së re do të ndërmerren menjëherë pas përfundimit të këtij muaji. Kjo pritje vjen si pasojë e një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese që lidhet me konstituimin e Kuvendit, një proces të cilin Presidentja, në linjë me Lëvizjen Vetëvendosje, e konsideron tashmë të përmbyllur edhe pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Në një konferencë për media, Osmani sqaroi se një masë e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e pengon aktualisht të dekretojë mandatarin. “Na ndalohet që të ndërmarrim çdo procedurë për caktimin e mandatarit dhe krijimin e qeverisë”, theksoi ajo, duke siguruar se do të veprojë “menjëherë” sapo kjo masë të skadojë.
Presidentja bëri të qartë se pas datës 30 shtator, ajo do të përmbushë detyrimet e saj kushtetuese pa vonesë, por thelbi i formimit të ekzekutivit mbetet në duart e partive politike.
“Menjëherë pas 30 shtatorit, në momentin që të skadojë masa, po atë ditë do ta thërras partinë e parë dhe menjëherë do të procedoj me caktimin e mandatarit. E pastaj punët e tjera janë në duar të partive; kush e krijon shumicën, si e krijojnë shumicën, si votohet qeveria, ato pastaj janë jashtë këtij institucioni”, deklaroi Osmani./lajmishqip.net