Zgjedhjet në Shqipëri, raportohet për incidente në disa qytete

10 minutes, 39 seconds Read

Në Shqipëri mbahen sot (14 maj) zgjedhjet lokalet ku rreth 140 kandidatë do të synojnë të marrin drejtimin e 61 bashkive në tërë Shqipërinë.

Sipas orarit zyrtar, në orën 07:00 janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjet në 61 bashkitë e vendit, proces i cili do të mbyllet në orën 19:00.

Në të gjithë vendin janë 5213 qendra votimi ku me vendimin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve është shtuar një qendër e posaçme në burgun e Tepelenës ndërsa ditën premte, datë 12.05.2023, me vendim Gjykate është shtuar një Qendër Votimi e Posaçme në burgun e Belsh.

3,650,550 qytetarë me të drejtë vote janë të ftuar që të votojnë për të zgjedhur 61 drejtuesit e rinj të bashkive. 122 545 zgjedhës votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 14 majit.

Në zgjedhjet vendore të 14 majit garojnë në total 23 907 kandidatë për kryetarë bashkie dhe këshilla bashkiakë.

Konkretisht në garë për kryetarë bashkie janë regjistruar 144 kandidatë, ndërsa 23 763 kandidatë të tjerë garojnë për këshillat bashkiakë.

Telegrafi do t’ju mbajë të informuar minut pas minute për zhvillimet rreth procesit zgjedhor.

Voton Kryetarja e Kuvendit: Ftoj qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, votoi sot në Njësinë Administrative numër 1 të Tiranë.

Nikolla ka ftuar qytetarët të votojnë të qetë.

“Ftoj të gjithë qytetarët të votojnë dhe të ushtrojnë lirisht e qetësisht të drejtën e tyre për të zgjedhur kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë”, u shpreh Kryetarja Nikolla, në një prononcim të shkurtër për mediat.

Deri në orën 12:00 kanë votuar 18.94 për qind e qytetarëve, sipas të dhënat e përditësuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Të dhënat vijnë nga 2,678 qendra votimi nga 5,211 qendra votimi që janë në total.

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ deri më tani numri i qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e votës është 36,5191 nga 1,927,666 zgjedhës në listat e qendrave të votimit. /Telegrafi/

Pjesëmarrja në votime shkon në gati 19 për qind deri në orën 12:00

Deri në orën 12:00 kanë votuar 18.94 për qind e qytetarëve, sipas të dhënat e përditësuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Të dhënat vijnë nga 2,678 qendra votimi nga 5,211 qendra votimi që janë në total.

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ deri më tani numri i qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e votës është 36,5191 nga 1,927,666 zgjedhës në listat e qendrave të votimit.

Këtë 14 maj, qytetarët u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e bashkive si dhe anëtarët e këshillave bashkiak për 4 vitet në vijim. /Telegrafi/

Erion Veliaj bënë thirrje për votim: Është shumë e rëndësishme të fitojë Tirana e Shqipëri

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj shkoi për të votuar, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij. Pas votimit, Veliaj tha se është shumë e rëndësishme dalja për të votuar.

Sa i përket problematikave që ka pasur KQZ, Veliaj i ka bërë thirrje të gjithëve të kthehen në qendrat e votimit dhe mos ndikohen nga kjo situatë. Sakaq, ai i ka uruar pestë kandidatëve kundërshtarë suksese.

“Faleminderit punonjësve të mediave, që jeni në krye të detyrës. Jam në djeni të disa problematikave që KQZ ka pasur, por më vjen mirë që prevaloj kjo degë. Kështu që i bëj thirrje të gjithëve të votojnë. Është shumë e rëndësishme që të gjithëve të votojnë.

Dua të falenderoj pesë kandidatët e tjerë, t’u uroj atyre shëndet për ta e familjet e tyre. Gara tani mbaroi, nesër rikthehemi në Tiranë si qytetarë, që të gjithë duam më të mirën e këtij qyteti dhe më të mirën e familjeve tona. Atyre u uroj shumë suksese, por edhe gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike, i falënderoj sepse ka qenë një ndër fushatat më të qeta. Debatet janë mëse të natyrshme, edhe ndonjë cic-mic i vogël, por në përgjithësi ka qenë një fushatë e qetë.

Lusim të gjithë ata që janë në krye të këtij procesi ta vijojnë me qetësi dhe të dalim vërtet faqebardhë. Është shumë e rëndësishme të fitojë Tirana e Shqipëria, jo në sensin e partive politike, por të një komuniteti të civilizuar, që prodhon debat sigurisht, prodhon edhe vendimmarrje dhe pastaj të hënën i rikthehet normalitetit”, tha ndër të tjera Veliaj.

Zgjedhjet në Shqipëri, raportohen raste incidentesh në disa qytete

Shqipëria zgjedh sot kryebashkiakët për 61 bashki të vendit me në garë 144 kandidatë. 5213 qendra votimi janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00. Deri më tani është vënë re një pjesëmarrje e ulët në votime, ndërsa janë shfaqur gjithashtu probleme teknike në disa qendra votimi.

Në disa qendra votimi ka pasur edhe incidente.

Një përplasje ndodhi mes një grupi të mbështetësve të opozitës me ata të Partisë Socialiste në qendrën e votimit në Spitallë të Durrësit, atje ku dhe procesi i votimit u ndërpre për 30 minuta.

Simpatizantë të Partisë Socialiste kanë shqetësuar komisionerët e koalicionit “Bashkë fitojmë”. Këta të fundit kanë ngritur shqetësimin e tyre pranë policisë së qarkut të Durrësit. Ata e kanë cilësuar praninë e këtyre simpatizantëve si kërcënim për qytetarët.

Forcat e policisë u vendosën në dispozicion pasi për disa minuta veç pezullimit të votiimit në këtë zonë, u ndalua edhe qarkullimi.

Një tjetër incident është shënuar dhe në Fushë-Krujë. Një votues është përplasur fizikisht me një nga anëtarët e komisionit brenda qendrës së votimit.

Një incident ka ndodhur edhe në Maliq. Deputeti Edmond Spaho shihet në video e vënë në dispozicion nga kryetari aktual i bashkise se Maliqit Gezim Topciu, teksa tërheq për krahu me force, votues ne fshatin Zvezde.

Sipas pretendimeve të të dyja palëve, ka presion nga njëra-tjetra per orientim votash.

Incidenti më i rëndë mbetet ai i orëve të para të mëngjesit ku kryetari i Bashkisë së Kolonjës, Erion Isai u godit nga simpatizantë të opozitës. /Telegrafi/

Vazhdon pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet në Shqipëri, KQZ nxjerr të dhënat deri në orën 11:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri (KQZ) ka publikuar të dhënat për pjesëmarrjen në zgjedhjet vendore deri në orën 11:00.

Sipas të dhënave të KQZ, deri në orën 11:00 kanë votuar 13.59 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Sot, më 14 maj shqiptarët i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiak për 4 vitet e ardhshme.

Sipas listës së fundit të shpërndarë nga Ministria e Brendshme, të drejtën e votës në zgjedhjet e 14 majit e kanë 3 milionë e 650,550 shtetas shqiptarë. Nga këta 122,545 janë qytetarë që e kanë mundësinë për të votuar për herë të parë. Këta qytetarë do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre në 5,211 qendra votimi në të gjithë vendin. /Telegrafi/

Ambasadorja e BE në Tiranë: Dita është e qetë, qytetarët të dalin të votojnë

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Christiane Hohmann ka zgjedhur Elbasanin për të parë nga afër procesin për zgjedhjet lokale për zgjedhjen e kryebashkiakut në këtë bashki.

Hohmann në fjalën e saj është shprehur se deri më tani dita është e qetë dhe ka kërkuar nga qytetarët që të marrin pjesë në zgjedhje dhe që të ruajnë qetësinë deri në fund.

“Gjërat deri më tani kanë ecur pa problem dhe qytetarët po e ushtrojnë të drejtën e tyre të votës për të zgjedhur kryebashkiakun. Urimi im për sot është sa më shumë zgjedhës të shkojnë në qendër të votimeve dhe të votojnë dhe dita të vijojë kështu pa problem dhe në paqe.

Ajo çfarë vendosin sot qytetarët është do të jenë prej tyre në këshillat bashkiak dhe kush do jenë kryetarët e bashkive në 4 vitet e ardhshme.

“Shfrytëzojeni të drejtën që keni për të zgjedhur. Synimi duhet të jetë politika më e mirë që ju mendoni do të jetë për Elbasanin”, tha ajo.

“Jam shumë e lumtur që OSBE ka vendosur të sjellë vëzhgues në Shqipëri që u bënë kohë që kanë ardhur e u bë kohë që kanë ndjekur situatën ditë pas dite. Ju e dini se para pak ditësh nxorën raportin paraprak, por le të presim ditën e nesërme kur do të kemi raportin paraprak për të parë gjetjet e misionit të OSBE/ ODIHR në Shqipëri”, ka thënë ajo. /Telegrafi/

Zgjedhjet në Shqipëri, pjesëmarrja në votime deri në orën 10:00

8.08 për qind e qytetarëve kanë ushtruar të drejtën e votës deri në orën 10:00 në zgjedhjet vendore që mbahen sot (14 maj) në Shqipëri.

Nga 5,213 qendra votimi në total, raportimet vijnë nga 2.740 qendra.

158,904 zgjedhës kanë votuar nga 1,966,898 zgjedhës në listat e qendrave të votimit të raportuara, bën me dije Komisioni Qendror Zgjedhjeve.

Sot, më 14 maj shqiptarët i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiak për 4 vitet e ardhshme.

Sipas listës së fundit të shpërndarë nga Ministria e Brendshme, të drejtën e votës në zgjedhjet e 14 majit e kanë 3 milionë e 650,550 shtetas shqiptarë. Nga këta 122,545 janë qytetarë që e kanë mundësinë për të votuar për herë të parë. Këta qytetarë do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre në 5,211 qendra votimi në të gjithë vendin. /Telegrafi/

Voton Kryeministri Rama: Tani është momenti i qytetarëve të thonë fjalën e tyre

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka votuar sot i shoqëruar nga bashkëshortja, Linda Rama në një shkollë në Surrel, zonë në të cilën ai jeton prej disa vitesh.

Pas votimit, ai ka dhënë edhe një mesazh për Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke u shprehur se situata e krijuar me pajisjet e identifikimit elektronik në fillim të procesit mos të ketë krijuar probleme me votimin.

“Janë thënë të gjitha ato që duheshin thënë. Tani është momenti i qytetarëve të thonë fjalën e tyre. Uroj që situate e krijuar nga KQZ të mos ketë ndikuar në ato zona ku në fillim nuk punuan aparatura. Të gjithë ata që nuk votuan herën e parë, uroj të kthehen sërish të japin votën e tyre”, tha ai.

Ndalur te akuzat e thëna nga ish kryeministri Sali Berisha ku tha se kanë qenë “hackerat qeveritar që ndikuan te pajisjet elektronike”, Rama zgjodhi të mos komentonte.

“Dhe unë duhet t’i përgjigjem kësaj?”, tha Rama /Telegrafi/

 Para 2 ore e 7 min

Meta: Ditë e madhe sot, votuam si një familje e kompletuar

Kryetari i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, njëkohësisht edhe i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i shoqëruar nga familjarët e tij, ka votuar në kopshtin numër 31 në rrugën ‘Pjetër Bogdani’ në zonën e ish-bllokut.

Pas hedhjes së votës, Meta para gazetarëve është shprehur se sot është një ditë e madhe pasi të gjithë qytetarët me pjesëmarrjen e tyre në votime do të bëjnë të mundur dhënien fund të këtij regjimi.

“Ishte një kënaqësie e madhe që votova sot si një familje e kompletuar pasi për herë të parë votoi dhe Era. Kam një lutje për qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë, pjesëmarrje, pjesëmarrje dhe vetëm pjesëmarrje. Gjëja më e rëndësishme dhe e drejta që ka një qytetar është vota, themeli i lirisë dhe i dinjitetit. Ushtrojeni këtë të drejtë përmes pjesëmarrjes, për tu bërë pjesë e ndryshimit për tu kërkuar llogari të gjithëve. Ditë e madhe për të gjithë merr fund monizmi absolut”, tha ai. /Telegrafi/

Publikime te ngjashme