Zënka filloi në tregun e druve, krejt çka dihet deri tani për ngjarjen tragjike ku u vra një 30-vjeçar në Malishevë

1 minute, 22 seconds Read

Një person ka mbetur i vrarë si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Malishevë. Sipas informacioneve që posedon Sinjali, katër persona janë shoqëruar në stacion policor, teksa është sekuestruar edhe një armë zjarri.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se ngjarja tragjike ka ndodhur në tregun e druve, ku të dyshuarit dhe viktima, tashmë i ndjerë, janë përfshirë në një përleshje fizike.

Sinjali mëson se viktima është një i ri rreth 30-vjeç nga fshati Bubavec i Malishevës.

Lëndime trupore nga përleshja kanë marrë edhe dy nga të dyshuarit, të cilët tashmë janë shoqëruar në Polici.

Lidhur me rastin janë shoqëruar në stacion policor katër persona të dyshuar.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku po kryejnë bastisje, teksa është sekuestruar një armë zjarri.

Raportimin e Sinjalit e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjakovës, Sheremet Elezaj.

“Sot rreth orës 13:30 kemi pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore është dërguar në QKMF Malishevë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri në fshatin Balincë-Malishevë. Personeli mjekësor ka konstatuar vdekja e tij. Njësitet e nevojshme policore ju kanë përgjigjur rastit si dhe është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka dalë në vendin e ngjarjes, në konsultim me të cilin janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Deri më tani lidhur me rastin janë arrestuar katër persona të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në rast, si dhe është konfiskuar një armë”, tha Elezaj.

Publikime te ngjashme