Zelensky sanksionon bizneset që bashkëpunojnë me ushtrinë ruse

1 minute, 19 seconds Read

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky njoftoi se janë vendosur sanksione ndaj 322 bizneseve që plotësojnë nevojat e ushtrisë ruse.

Ai tha se ka vendosur në zbatim paketën e tretë të sanksioneve kundër atyre që mbështesin Rusinë dhe që sigurojnë kontribute ndaj agresionit rus.

“Kjo paketë sanksionesh është kundër bizneseve të industrisë ushtarake që plotësojnë nevojat ushtarake të ushtrisë ruse”, theksoi Zelensky, i cili shtoi se “këtë herë në listat e sanksioneve janë shtuar 322 kompani që prodhojnë armë, komponentë dhe të ngjashme”.

Lideri ukrainas më tej tha se në dy listat e tjera të sanksioneve përfshihen individë dhe persona juridikë që ofrojnë ndihmë për kapërcimin e sanksioneve kundër Rusisë.

Duke tërhequr vëmendjen se mbi paketat e sanksioneve është punuar në mënyrë të detajuar, kryesisht për sinkronizimin me partnerët, 45-vjeçari tha se “kjo është një nga objektivat e përbashkëta e të gjithë atyre që përpiqen për fitoren tonë të shpejtë dhe që lufta të përfundojë në mënyrë sa më të shpejtë. Ky është objektiv për të eliminuar çdo mundësi që Rusia të kapërcejë sanksionet”.

“Sa më shumë sanksione të ketë kundër ekonomisë luftarake ruse dhe ndaj të gjithë personave që kanë lidhje me Rusinë dhe këtë vend aq me shpejt do të arrihet fitorja”, tha presidenti ukrainas.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin më 24 shkurt në Ukrainë, ku deri më tani ka shkaktuar mijëra viktima ndër civilët dhe ka rrënuar infrastrukturën e shumë qyteteve. /Telegrafi

Publikime te ngjashme