Zbulohen detaje të rënda: mjeket dhe stafi i repartit gjinekologjik në Prizren fshehën placentën e foshnjës për t’i zhdukur provat!

2 minutes, 1 second Read
Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e sigurisë ndaj tre mjekëve të dyshuar se kanë kryer veprat penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” dhe “manipulim me prova”.

Gjyqtari i procedurës, Fatmir Krasniqi ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj dy të pandehurve (F.S dhe G.S) dhe masën e lajmërimit policor ndaj një të pandehurit tjetër (S.R) lidhur me dy veprat e larcekura.

Të njëjtit kishin tentuar gjithashtu të fshehin provat që dëshmojnë shkakun e vdekjes së foshnjes.

Prokuroria ka shpjeguar se mjekët e kanë fshehur placentën e fetusit të fëmijës së posalindur dhe e kanë përzier me placenta të tjera.

“Gjithashtu, më datë 27 qershor, rreth orës 03:40 në Prizren, në Spitalin Rajonal të Prizrenit të pandehurit në cilësinë e mjekëve kujdestarë fshehin, ose e bëjnë të pashfrytëzueshëm, tërësisht sendin – provën kryesore me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të sendit në procedurë zyrtare, në atë mënyrë që pas lindjes, të pandehurit placentën e fetusit të fëmijës të posa lindur i cili ndërron jetë pas lindjes, me qëllim që të fshehin çështjen e të provuarit lidhur me shkakun e vdekjes së foshnjës këtë placentë nuk e regjistrojnë dhe identifikojnë dhe e vendosin së bashku duke e përzier me placentat tjera në vendin ku i ruajnë, nuk e dërgojnë në IML së bashku me trupin e pajetë të foshnjës i cili është dërguar në autopsi me urdhër të prokurorit, e cila provë është vendimtare për përcaktimin e shkakut të vdekjes.”, thotë Prokuroria.

Në përshkrimin e Prokurorisë thuhet se mjekët “haptazi” kanë vepruar në mënyrë të pakujdesshme.

“Me datë 27 qershor, rreth orës 03:40 në Spitalin Rajonal të Prizrenit të pandehurit në cilësinë e mjekëve kujdestarë veprojnë haptazi në mënyrë të pakujdesshme si ekip i mjekëve me rastin e lindjes së fëmijës, derisa i është renduar dhe përkeqësuar gjendja e të dëmtuarës (pacientes), dhe e fëmijës, me ç‘rast pasi kuptojnë për gjendjen e të dëmtuarës dhe fëmijës ekipi i mjekëve – të pandehurit intervenojnë me vonesë mirëpo fëmija i porsalindur nuk arrin të mbijetoj – vdesë.”, thuhet në arsyetim./Paparaci.com

Publikime te ngjashme