Zafir Berisha ka reaguar ashpër ndaj një deklarate të bërë nga një imam nga Sanxhaku, duke ngritur akuza për përfshirje të Serbisë në manipulimin e besimit fetar në Luginën e Preshevës.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha citoi imamin Mevlud Dudiq, i cili gjatë një tubimi të hapur në Luginën e Preshevës kishte thënë: “Unë nuk jam shqiptar, jam mysliman, si dhe ju të gjithë në Luginën e Preshevës.” Berisha kritikoi ashpër këtë deklaratë, duke e quajtur Dudiqin “spiun serb i veshur si hoxhë” dhe duke theksuar praninë e tij në përqafim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
“Shqiptarët gjatë gjithë historisë janë përballur me sojin e Dudoviqit dhe ‘derzhavni imamët,’ të cilët në mënyrë brilante i përshkruan shkrimtari Ibrahim Kadriu në romanin e tij Misioni Rus,” theksoi Berisha, duke shprehur shqetësimin e tij për duartrokitjet që pasuan deklaratën e imam Dudiqit.
Berisha kritikoi edhe heshtjen e institucioneve fetare në Kosovë, përfshirë Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK), imamët dhe dijetarët islamë, duke i akuzuar se po injorojnë situatën. “Deklarata e dudoviqave nuk është e rastësishme,” shkroi Berisha, duke theksuar se ajo është pjesë e një plani të koordinuar nga BIA serbe dhe grupe të caktuara.
Në fund, Berisha u shpreh i bindur se shqiptarët do ta përballojnë edhe këtë “furtunë sllave,” ashtu siç kanë bërë gjatë gjithë historisë.