Algjeria ka inauguruar një xhami gjigante pasi vite trazirash politike e transformuan projektin nga një simbol i fuqisë dhe fesë në një projekt të vonesave dhe tejkalimeve të kostove.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, e ndërtuar nga një firmë kineze ndërtimi gjatë viteve 2010, Xhamia e Madhe e Algjerit përmban minaren më të lartë në botë, me përmasa 265 metra (869ft).
Xhamia e tretë më e madhe në botë, më e madhja në Afrikë dhe më e madhja jashtë qyteteve më të shenjta të Islamit, ka një hapësirë të lutjes që strehon 120,000 njerëz.
Dizajni i saj modern përmban dekorime arabe dhe afrikano-veriore për të nderuar traditën dhe kulturën algjeriane, si dhe një platformë uljeje helikopteri dhe një bibliotekë që mund të strehojë deri në 1 milion libra.
Përurimi do t’i udhëzojë myslimanët “drejt mirësisë dhe modernizimit”, tha Ali Mohamed Salabi, sekretari i përgjithshëm i bashkimit botëror të ulemave myslimanë.
Ndërsa presidenti algjerian, Abdelmadjid Tebboune, përuroi xhaminë në një ngjarje që ishte kryesisht ceremoniale pasi xhamia ka qenë e hapur për turistët dhe vizitorët shtetërorë në Algjeri për rreth pesë vjet.
Kujtojmë se ajo hapet zyrtarisht për publikun në kohë për të pritur lutjet e natës gjatë muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit, i cili fillon muajin e ardhshëm.
Projekti u ndoq nga vonesa dhe polemika gjatë shtatë viteve që xhamia ishte në ndërtim e sipër, duke përfshirë zgjedhjen e vendit, për të cilin ekspertët paralajmëruan se ishte sizmikisht i rrezikshëm.
Shteti e mohoi këtë në një njoftim për shtyp të postuar të dielën në Algérie Presse Service, agjencia shtetërore e lajmeve.
Kostoja zyrtare e projektit ishte 898 milionë dollarë (rreth 828 milionë euro).
Xhamia ishte fillimisht një projekt i ish-presidentit Abdelaziz Bouteflika. Ai donte që ajo të ishte trashëgimia e tij dhe të quhej “Xhamia Abdelaziz Bouteflika”.