Vuçiqit nuk i intereson se a shqetësohen partnerët nga Perëndimi! Ai sot udhëton në Kinë, atje do ta takojë edhe Putinin

1 minute, 23 seconds Read

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, njoftoi se sot ka udhëtuar për në Kinë, ku do të ketë një takim dypalësh me presidentin e Kinës, Xi Jinping, si dhe Ban Huning ose ” Kissingerin kinez” siç e ka quajtur ai. Presidenti serb ka thënë se pret edhe takime me përfaqësues të kompanive të shumta dhe institucionet shtetërore tjera kineze dhe ruse, transmeton Kosova Post.

“Unë me kompani të shumta dhe institucionet shtetërore tjera kineze pres nënshkrimin e shumë marrëveshjeve, duke përfshirë marrëveshjen e tregtisë së lirë. Ajo marrëveshje do të thotë shumë për fermerët, si dhe për industrinë e verës,” ka thënë ai.

I pyetur nëse do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, ai tha se nuk janë planifikuar bisedime dypalëshe, por sigurisht që do ta takojë atë, si shumë liderë të tjerë, në takimin “Belt and Road”.

“Me sa kam dëgjuar, në atë takim po vijnë 24 liderë botërorë. Mes tyre është edhe Putini. Unë nuk kam një plan dypalësh me të. Hera e fundit që u takuam ishte më 25 nëntor 2021, kur thashë se do të kishte luftë në Ukrainë, tha Vuçiq.

Serbia ende nuk i ka vënë sanksione Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë edhe pse Perëndimi i ka bërë thirrje të vazhdueshme.

Branka Latinoviq, ish-ambasadore dhe përfaqësuese e Serbisë në OSBE, thotë se: “Presidentit Vuçiq nuk i intereson se a shqetësohen partnerët nga Perëndimi, takimet ndërkombëtare janë gjithmonë një mundësi për takime dypalëshe”.

Publikime te ngjashme